Ribery rinovon për një sezon me Bayernin
Franck Ribery dhe Bayerni i Mynihut, historia e dashurisë vazhdon deri në vitin 2018. Sulmuesi francez dhe klubi bavarez zgjatën edhe për një sezon kontratën aktuale që përfundonte në muajin korrik të vitit 2017. Ribery u transferua në Gjermani gjatë vitit 2007 pasi shpërtheu në radhët e Marseille dhe ai numëron 6 tituj në Bundesliga dhe një UEFA Champions League.
“Jam shumë i lumtur që arrita marrëveshjen me klubin për ta vazhdua bashkëpunimin edhe një tjetër vit”, shprehet 33-vjeçari në faqen zyrtare të Bayernit në internet. Më tej ai shton se Bayerni është një klub i madh dhe gjithashtu është transformuar në shtëpinë e tij të dytë, si në aspektin sportiv ashtu edhe në atë privat. “Po shikoj nga e ardhmja për të arritur sërish suksese bashkë me tifozët që na mbështesin”, shton Ribery. Ndërkohë, Karl-Heinz Rummenigge shprehet se sulmuesi francez është një lojtar kyç për Bayernin, prandaj klubi është i lumtur që palët gjetën gjuhën e përbashkët.
Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Bundesliga kundër Bayer Leverkusenit, Ribery u aktivizua vetëm një pjesë loje. Ai numëron 333 ndeshje me fanellën e skuadrës bavareze me të cilën ka gjetur 108 herë rrugën e rrjetës në të gjitha kompeticionet. Me rinovimin e Ribery, Bayerni i Mynihut ujep sinjale të rëndësishme për një tjetër ikonë të këtij klubi, sulmuesin holandez Arjen Robben, i cili nuk ka hedhur ende firmën për të zgjatur bashkëpunimin me kampionët e Gjermanisë.
KOHA JONË SONDAZH

