Roma fiton derbin e kryeqytetit ndaj Lazios, sfidën e vendos kapiteni Pellegrini
Roma ka triumfuar në derbin e kryeqytetit, në kuadër të javës së 4-të të Serie A, duke mposhtur Lazion me rezultatin 1-0. Heroin e sfidës e bëri ish-kapiteni Lorenzo Pellegrini, i cili u rikthye në fushë pas 140 ditësh dhe gjatë verës kishte qenë pranë largimit nga skuadra.
Goli që ndezi entuziazmin e tifozëve verdhekuq erdhi në minutën e 38-të: pas një gabimi të Tavares në zonë, i ndjekur nga presioni i Rensch, Soulé asistoi për Pellegrinin, i cili shënoi me një goditje të saktë në cepin e portës.
Në pjesën e dytë, Lazio pati shansin e artë për të barazuar, por Dia humbi një rast të pastër përballë portierit Svilar (54′), pas një gabimi në ndërtim të aksionit nga Mancini.
Finalja e derbit ishte dramatike: Belahyane u ndëshkua me karton të kuq direkt për një faull të rëndë ndaj Koné, ndërsa në minutën e 94-t Cataldi goditi shtyllën e jashtme. Pas fishkëllimës përfundimtare, tensionet vazhduan dhe u përjashtua edhe Guendouzi.
Me këtë fitore, Roma e Gasperinit ngjitet në kuotën e 9 pikëve, ndërsa Lazio e Sarrit mbetet në krizë me vetëm 3 pikë.
KOHA JONË SONDAZH

