Roma i jep Juves një ndihmë, Lacio sposton Napolin, dëmtohet Basha
Seria A në 11 ndeshjet e mbetura do të luhet për të përcaktuar se cilat do të jenë dy ekipet e tjera që do të shoqërojnë Juventus në zonën Champions sezonin tjetër, si dhe dy ekipet që do të shoqërojnë ekipin e Parmas, në Seria B. Ndonëse matematikisht nuk është përcaktuar asgjë, humbja e Romës ndaj Sampdorias si dhe fitorja e Lacios në Torino, apo e Fiorenbtinës ndaj Milan, kanë lënë të hapur vetëm garën për dy vendet në Champions. Sa i përket fundit të klasifikimit, Parma pas humbjes 1-4 me Sassuolo do të ketë thuajse të pamundur të rikuperojë pikë në çerekun e javëve të mbetura të kampionatit, pasi i duhet të marrë maksimumin e pikëve ose tre herë më tepër se pikët që ka aktualisht për të shpresuar ndoshta tek mbijetesa.
Lazio
Lazio përfitoi edhe nga gabimi i Napolit të dielën në Verona, duke i rrëmbyer vendin e tretë të klasifikimit në Seria A, falë fitores së pastër 2-0 në Torino. Felipe Anderson zgjidhi problemet për skuadrën romane, duke shënuar dy gola në pjesën e dytë. Ishte fitorja e pestë radhazi për Lacion, ndërkohë që dy lojtarët e kombëtares sonë, Etrit Berisha dhe Lorik Cana nuk u aktivizuan në asnjë minutë. I pari qëndroi në stol, ndërsa kapiteni kuqezi ishte i dëmtuar. Migjen Basha dirigjoi mesfushën e “Demave” të Torinos, që gjithsesi humbi përballjen me Lacion. Shqiptari i skuadrës së Venturas në rolin e kapitenit, u rikthye në një ndeshje që nga minuta e parë pas shumë muajsh për shkak të një dëmtimi që e detyroi të qëndronte në bokse. Miqtë morën iniciativën me disa aksione por pa kërcënuar seriozisht portën e Padellit. Braziliani Felipe Anderson në minutën e 71’ zhbllokoi rezultatin për bardhekaltërit si dhe realizoi edhe golin e dytë 7 minuta më pas, duke siguruar 3 pikëshin e radhës për ekipin kryeqytetas që fluturon në vendin e tretë.
Migjen Basha
Si të mos mjaftonte paraqitja e tij e mirë dhe më tepër rikthimi në fushë, mbrëmjen e djeshme është dëmtuar sërish dhe është larguar nga fusha Migjen Basha rreth 10 minuta nga fundi. Sipas mediave italiane, mesfushori shqiptar që ishte edhe një nga lojtarët më aktivë të skuadrës toirineze, pësoi një tërheqje muskulare por situata nuk duket e rëndë.
Milani
Në sfidën tjetër, Fiorentina dhe Milan, ishte skuadra toskane që doli me tre pikë të vyera dhe që e mbajnë në lojë për një vend në zonën Champions. Matia Destro zhbllokoi ndeshjen në minutën e 56-të, por vjollcët nuk bënë paqe me këtë rezultat dhe e gjetën golin e barazimit vetëm 7 minuta nga fundi, me autor Rodriguez. Festa për skuadrën e Montellas merr përmasa të mëdha , sepse Milani pësoi edhe të golin e dytë në limitin e kohës së rregullt. Kuqezinjtë numërojnë vetëm 1 fitore në 6 ndeshjet e fundit, ky është një nga sezonet më të dobët të erës Berlusconi. E ardhmja e trajnerit Pipo Inzaghi është e kuptueshme pas kësaj ecurie gati katastrofë.
Roma
Roma, pas 6 barazimesh radhazi në ndeshjet e fundit në shtëpi, pëson edhe një humbje dhe i jep një sinjal Juventus që të nisë të bëj llogaritë për kompeticionet e tjera, sepse titulli kampion në Seria A është thjesht çështje matematikore. Skuadra e Rudi Garcias u mposht 2-0 nga Sampdoria në “Olimpico” dhe pas kësaj humbje Juventus, që fitoi 1-0 të djelën në Palermo, shkëputet 14 pikë larg nga veni i dytë. Roma tashmë rrezikon madje seriozisht vendin e dytë dhe për më keq jo nga Napoli por nga Lazio, me rivalët historikë.
Pas javës së 27-të, klasifikimi i Seria A:
Juventus 64 pikë, Roma 50, Lazio 49, Napoli 46, Fiorentina 45, Sampdoria 45, Inter 37, Genoa 37, Torino 36, Milan 35, Palermo 35, Udinese 32, Sasuolo 32, Verona 32, Empoli 30, Chievo 29, Atalanta 25, Cagliari 21, Cesena 21, Parma 9 pikë.
KOHA JONË SONDAZH

