Roma i shkakton një tjetër humbje Torinos dhe merr vendin e katërt
Roma ka arritur një fitore tepër të rëndësishme në javën e 21-të të Serie A, duke triumfuar 2-0 në transfertë ndaj Torinos dhe duke u ngjitur në vendin e katërt të renditjes, duke lënë pas Juventusin në garën për zonën Champions.
Protagonist absolut i takimit ishte përforcimi i fundit i verdhekuqve, Donyell Malen. Sulmuesi holandez, i huazuar nga Aston Villa, i mjaftuan vetëm 26 minuta për të zhbllokuar rezultatin, duke shënuar me të djathtën pas një asisti perfekt të Paulo Dybala-s. Goli erdhi pak minuta pasi Malen kishte festuar për një realizim të anuluar më parë. Këtë herë, “La Joya” shërbeu saktë dhe Malen nuk gaboi përballë portierit Paleari.
Torino u shfaq i rrezikshëm vetëm në një rast me Lazaron, ku ndërhyri në mënyrë vendimtare portieri Svilar. Në pjesën e dytë, Roma mbylli llogaritë në minutën e 72-të, kur vetë Dybala realizoi golin e dytë pas asistit të Rensch, duke vulosur fitoren.
Nota negative për Romën ishte dëmtimi i Hermosos, i cili u detyrua të largohej nga fusha në pjesën e parë, duke i lënë vendin Ghilardit. Në minutat e fundit, bëri debutimin edhe afrimi tjetër i ri, Robinio Vaz.
Për Torinon kjo ishte humbja e katërt në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit. “Granata” mbeten në kuotën e 23 pikëve, vetëm gjashtë më shumë se zona e rënies nga kategoria, ku aktualisht ndodhet Fiorentina.

KOHA JONË SONDAZH

