Romagnoli-Lazio, bllokohet merkatoja 18 milionë euro që ndezin debat
Në pak ditë marrëdhënia mes Lazios dhe mbrojtësit Alessio Romagnoli u përplas me zhvillime të papritura duke çuar në dështimin e një transferimi që dukej i sigurt. Fillimisht mbrojtësi pranoi ofertën e klubit katarez Al Sadd të drejtuar nga Roberto Mancini dhe madje i dha lamtumirën shokëve të skuadrës dhe tifozëve pas ndeshjes me Leccen duke krijuar përshtypjen se largimi ishte çështje kohe.
Megjithatë Lazio lëshoi një komunikatë zyrtare që e nxirrte Romagnolin jashtë merkatos duke krijuar paqartësi rreth të ardhmes së tij. Pak ditë para mbylljes së merkatos në Katar, tratativat u rihapën, por futbollisti vendosi të mos vazhdojë dhe kështu kontrata trevjeçare me vlerë 18 milionë euro nuk u finale
Sipas gazetës Corriere dello Sport, Romagnoli refuzoi ofertën për arsye parimore. Lazio i kërkoi të heqë dorë nga pagat e muajve nëntor, dhjetor dhe janar, por mbrojtësi nuk pranoi të humbë 600 mijë euro që klubi i detyrohej. Për të ruajtur të drejtat e tij financiare, ai zgjodhi të mos nënshkruajë kontratën e re me Al Sadd, duke treguar se parimet e tij ishin më të rëndësishme se përfitimi i momentit.
Vendimi i Romagnolit krijon sfida për Lazio. Klubi do të humbiste mundësinë për të përfituar 9 milionë euro nga shitja dhe do të kursente po kaq nga shpenzimet për pagën e mbrojtësit i cili ka kontratë deri në vitin 2027. Përveç aspektit financiar, mbetet e paqartë edhe çështja sportive dhe e minutazhit, duke përfshirë nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Juventusit.
Aktualisht Romagnoli është larguar për shkak të një lejeje për lindjen e djalit të tij, por pritet një takim mes tij, trajnerit Sarri dhe presidentit Lotito për të vendosur për rolin dhe të ardhmen e tij në ekip deri në fund të sezonit.
KOHA JONË SONDAZH

