
Dy nga legjendat më të mëdha të futbollit brazilian, Ronaldo Nazário dhe Roberto Carlos, kanë bërë një tjetër investim në botën e futbollit. Ish-kampionët kanë marrë pjesë në blerjen e 80% të aksioneve të Inter de Limeira, klub që aktualisht militon në kategorinë e tretë të futbollit brazilian.
Bëhet fjalë për një klub historik nga qyteti i Limeira, në shtetin e São Paulos, i themeluar në vitin 1913. Inter de Limeira, i njohur edhe me nofkën “Gjigandi i Limeiras”, ka një histori të rëndësishme në futbollin brazilian.
Ronaldo Fenomeni dhe Roberto Carlos janë pjesë e një grupi investitorësh që tashmë kanë marrë kontrollin e shumicës së aksioneve të klubit. Projekti i tyre është ambicioz: ta rikthejnë Inter de Limeira në nivelet më të larta të futbollit brazilian.
Për dy ish-yjet e kombëtares së Brazilit nuk është hera e parë që përfshihen në projekte të tilla. Ronaldo ka pasur më herët eksperienca si pronar dhe investitor në futboll, ndërsa Roberto Carlos ka qenë gjithashtu i lidhur me projekte të ndryshme sportive.
Inter de Limeira ka një histori të gjatë në futbollin e São Paulos. Periudha më e suksesshme erdhi gjatë viteve ’80, kur klubi arriti të fitojë kampionatin Paulista dhe më pas edhe Serie B braziliane.
Por dekadat pasuese nuk ishin po aq të suksesshme. Gjatë viteve ’90 dhe 2000, klubi kaloi periudha të vështira, me disa rënie nga kategoritë më të larta.
