Rrëfimi i plotë i Kumbullës në Itali: Për mua finalja e Conference League në Tiranë është një ëndërr!
Marash Kumbulla do të ketë shansin e madh për të luajtur në finale në vendin e tij, në Tiranë. Mbrojtësi i Romës ka treguar emocionet e tij në një intervistë për Corriere dello Sport para finales së Conference League që do të luhet më 25 maj.
“Në fillim të sezonit, kur mësova se finalja e Ligës së Konferencës do të luhej në Tiranë, vendosa menjëherë në kokë synimin për të shkuar atje. Për mua që kam lindur në Itali në një familje shqiptare ishte si një shenjë fati. Për fat të mirë, ëndrrat bëhen realitet. Dhe tani do të jetë në dorën tonë që ta përfundojmë misionin duke mposhtur Feyenoord, edhe pse e dimë se nuk do të jetë e lehtë.
Po, jam i emocionuar. Sidomos pasi pashë Olimpicon e mbushur plotë këtë sezon, ishte diçka e jashtëzakonshme. Ne kemi një bazë unike tifozësh, të cilën vetëm duhet falënderuar. Me ta kemi gjithmonë një stimul shtesë. Fatkeqësisht jo të gjithë do të mund të vijnë në Tiranë, sepse siç e dini stadiumi nuk është shumë i madh. “Arena Kombëtare” është një impiant modern i stilit anglez, me tribuna shumë afër fushës, perfekte për të luajtur futboll. Dhe më pas Tirana është një qytet i mrekullueshëm, si gjithë Shqipëria: vitet e fundit investimet e huaja e kanë bërë të rritet shumë, pa e humbur historinë. Nëse ndodh që të bëni një udhëtim në bregdet, deti është i mrekullueshëm.
Për shqiptarët kjo finale është një mundësi shumë e mirë. Me siguri që mikpritja do të jetë fantastike. Ata kanë krijuar një lidhje shumë solide me italianët: ka mirënjohje për mënyrën se si u pritën në vendin tuaj/tonin shumë vite më parë. E quaj kështu sepse ndihem shqiptar por edhe shumë italian: na kanë trajtuar shumë mirë që në ditën e parë, kur prindërit e mi mbërritën në Peschiera del Garda për të kërkuar punë. Në Tiranë, përveç tifozëve të Feyenoord-it që do të mbështesin me të drejtë ekipin e tyre, do të kemi në krah një pjesë të madhe të publikut. Edhe kryeministri ynë i dashuruar me Mourinhon dhe e ka shfaqur këtë gjë edhe në rrjetet sociale, duke postuar një shall të Romës brenda stadiumit.
Për mua është nder dhe përgjegjësi të përfaqësoj kombin tim në një ngjarje kaq të rëndësishme: shpresoj të jem gjithmonë një shembull i mirë për djemtë e shumtë shqiptarë që kanë emigruar jashtë si unë dhe që po përpiqen të ndërtojnë rrugën dhe karrierën e tyre. A do të luajë? Do të ishte diçka e mirë, do të gënjeja nëse do të thoja se nuk do të doja të luaja këtë ndeshje, të paktën disa minuta. Por vendimi përfundimtar i takon trajnerit dhe ne e respektojmë gjithmonë. Dhe nëse nuk do të luaj, do të brohoras nga pankina. Mourinho ka meritën që ka ndërtuar një grup solid, në të cilin askush nuk ndihet i përjashtuar.
Të gjithë kemi dhënë një kontribut këtë sezon dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë, nga Torino në Tiranë. Kemi luajtur shumë ndeshje, por kemi ende energji për këtë sfidë të fundit. Në 25 maj në stadium do të shoh prindërit, të dashurën, vëllain dhe dajën tim që jeton në Shqipëri.
Babi dhe mami blenë biletat për të fluturuar në Shqipëri para gjysmëfinales kundër Leicesterit, ata ishin aq të bindur që Roma do të kualifikohej. Do të isha i lumtur t’u kushtoja trofeun atyre, të gjithë tifozëve të Romës dhe shqiptarëve. Siç e themi ne: Hajdeni dhe na ndihmoni në stadium!”. /Rozalb Lika-Koha Jonë/