Rrëfimi i veçantë i Messit: Antonella më pëlqente që fëmijë, adhuroj të qëndroj vetëm!
Lionel Messi është shfaqur në një version që publiku nuk e sheh shpesh: i çlirët, ironik. Ky është portreti që doli nga intervista ekskluzive e transmetuar të martën në emisionin “Nadie dice nada” në Luzu TV. Biseda, e regjistruar në fund të vitit 2025 në “Chase Stadium” në Miami, hapi sezonin e ri të programit dhe tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut.
Larg tonit zyrtar dhe deklaratave të zakonshme, kapiteni i Argjentinës foli hapur për jetën e përditshme, veçanërisht për familjen. “Në shtëpi jetojmë me topin gjithë ditën”, tregoi Messi me buzëqeshje, duke shpjeguar se futbolli është pjesë e pandashme e jetës së fëmijëve të tij. E vetmja rregull që ka vendosur Antonela Roccuzzo është e qartë: nuk lejohen ndeshje brenda shtëpisë.
“Shumë rrëmujë dhe rrezik për të thyer diçka”, u shpreh Leo me shaka, duke pranuar se ndonjë përballje një kundër një ndodh gjithsesi.
Messi zbuloi edhe detaje interesante për raportin me bashkëshorten. Ai e përshkroi veten si shumë të fiksuar pas rregullit dhe organizimit, aq sa me kalimin e viteve ka “ndikuar” edhe Antonelën.
“Tani jemi në të njëjtin nivel, por në fillim ajo ishte rrëmujaxhije. I rregulloj rrobat sipas ngjyrave, përgatis gjithçka para stërvitjes dhe nuk më pëlqen që të tjerët prekin gjërat e mia. Thiago është si unë, ndërsa Mateo dhe Ciro i ngjajnë më shumë asaj”, tha Messi.
Ai shtoi se është romantik dhe se për të kanë më shumë vlerë veprimet sesa fjalët: “E kam të vështirë të shprehem, por më pëlqen ta bëj të ndihet mirë personi që dua”.
Nuk munguan as rrëfime më të papritura. “Jam më i çuditshëm sesa dukem”, pranoi Messi, duke treguar se i pëlqen të gjejë momente vetmie për t’u shkëputur nga zhurma e përditshme familjare. Në kohën e lirë, ai relaksohet duke parë seriale me bashkëshorten, mes të fundit edhe “Envidiosa” në Netflix, si dhe duke ndjekur programe argjentinase si “LAM” dhe “MasterChef Celebrity”.
Në fund, vëmendja u përqendrua te dashuria e jetës së tij, Antonela. Messi rikujtoi fillimet e historisë së tyre, që nisën që në fëmijëri në Rosario. “Më pëlqente që i vogël”, tregoi ai me nostalgji, duke kujtuar shikimet e turpshme në takimet familjare. Një rrëfim i thjeshtë dhe autentik, që nxori në pah anën më njerëzore të kampionit të botës.
KOHA JONË SONDAZH

