Rrëfehet Ramadani: Te Lecce ndihem si në shtëpi, Medon Berisha ka cilësi të rralla!
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, ka treguar historinë e rrugëtimit të tij drejt stabilitetit në Lecces, në një dokumentar të realizuar nga Serie A. Futbollisti shqiptar foli për fillimet e vështira, rolin e familjes dhe lidhjen e fortë që ka krijuar me tifozët dhe shokë e tij në klubin italian. Ramadani theksoi se karriera e tij ka qenë e mbushur me përvoja në vende të ndryshme, gjë që e ka ndihmuar të rritet si futbollist dhe si njeri.
“Kam udhëtuar përreth botës dhe kam mësuar shumë rreth kulturave të ndryshme. Tani po luaj te Lecce dhe ndihem sikur jam në shtëpi. Këtu ka plazh, ka diell, ka gjithçka”, u shpreh mesfushori shqiptar.
Ai pranoi gjithashtu se objektivi për të shmangur rënien nga kategoria në elitën e futbollit italian sjell presion të madh për skuadrën.
“Kur ndeshjet nuk shkojnë sipas dëshirës, presioni rritet shumë. Megjithatë jam i lumtur këtu, sepse kam mësuar shumë gjatë kësaj periudhe”, tha Ramadani.
Në rrëfimin e tij, ai ndaloi edhe te marrëdhënia me babanë, i cili në fillim nuk ishte dakord që djali i tij të merrej me futboll.
“Në fillim babai nuk më linte të luaja futboll, por më pas kuptoi se isha i destinuar të bëhesha futbollist. E falënderoj gjithmonë, sepse më pas ai u bë krahu im i djathtë”, tregoi Ramadani.
Një moment i veçantë për mesfushorin është edhe mbështetja e tifozëve të Lecce, të cilët u kanë dedikuar këngë dy lojtarëve shqiptarë të skuadrës.
“Jam shumë krenar për këtë. Ndjej pasionin e tifozëve dhe bashkë me Medon Berisha duam t’ua shpërblejmë besimin duke shmangur rënien nga kategoria”, theksoi ai.
Ramadani u ndal edhe te mungesa e bashkëkombasit të tij në skuadër, duke vlerësuar cilësitë e tij në fushë.
“Gjuajtjet dhe cilësia e tij janë të rralla në Serie A. Ne e ndiejmë vërtet mungesën e tij”, u shpreh mesfushori.
Ylber Ramadani është një nga titullarët kryesorë të Lecces dhe prej tre sezonesh është pjesë e klubit italian. Kontrata e tij pritet të rinovohet automatikisht edhe për një vit tjetër.

KOHA JONË SONDAZH

