Sadiku: Dua të lë gjurmë te Malaga, kisha oferta nga Izraeli dhe Arabia
Armando Sadiku po kalon një formë fantastike te Malaga gjatë këtij sezoni në Segunda Divisio. Sulmuesi i kombëtares deri më tani ka shënuar 10 gola duke u kthyer në një lider në ekipin e njohur. Në një intervistë që ka dhënë së fundmi për “sportsfinding.com”, ai është shprehur entuziastë për të vijuar këtë ecuri për të ndihmuar ekipin spanjoll.
“Shpresoj të vazhdoj kështu dhe në 15 ndeshjet që mbeten. Ne kemi nevojë për pikë. Është e vërtetë që me cilësinë e ekipit nuk duhet të jemi aty ku jemi tani, por do të japim gjithçka në këto ndeshjet e fundit”.
Do kishit nënshkruar që do shënonit 10 gola këtë sezon?
“Kam shumë besim tek vetja. Qëllimi im i parë ishte të luaja çdo ndeshje, të kisha shumë minuta, gjë që më duhej pasi pësova një dëmtim të rëndë. Ky ishte qëllimi im, për të luajtur të gjitha ndeshjet dhe për të shënuar gola. Këto dhjetë gola janë rezultat i gjithë punës që kam bërë dhe i gjithë skuadrës, e cila më ka ndihmuar. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të shënojë më shumë”.
Sa më shumë?
“Do të shohim. Dua të shënoj çdo ndeshje, por gjëja më e rëndësishme është skuadra. Është koha për të qenë gati kur më vijnë mundësitë. Nga zemra them që do të dëshiroja të arrinim në play -off, dua të lë një shenjë këtu te Malaga. Le të provojmë deri në fund”.
Nëse Malaga kalon problemet do qëndroni, ka shanse?
“Do të më pëlqente vërtet. Unë jam mirë këtu, familja ime është mirë dhe do të shohim se si shkojnë gjërat në fund. Atëherë do të ulemi dhe do të flasim”.
Ofertat nga Izraeli?
“Përfaqësuesi im foli me një klub izraelit dhe unë gjithashtu mora një ofertë të mirë nga një vend arab, por isha shumë i qartë që nuk doja të largohesha. Dua ta përfundoj sezonin këtu. Erdha të luaja më shumë se 30 ndeshje dhe të arrijë deri në fund një numër të mirë golash. Kam nevojë për këtë gjë. Te Malaga jam shumë i lumtur, si unë dhe familja ime”.
Sulmues që “jeton” brenda zone?
“Unë jam një “pykë” fikse përpara. Më pëlqen të jem në zonë, të finalizojë, mendoj se godasë mirë me të dyja këmbët nga jashtë zonës, por … një sulmues varet nga ekipi”.
A të ndjekin ty dhe Baren në Shqipëri?
“Na ndjekin shumë. Kur shënoj gol ose kur Bare luan mirë ata pasqyrojnë ndeshjet në TV dhe në gazeta, duke shkruar shumë mirë për ne. Unë jam shumë i lumtur që në vendin tonë na ndjekin të dy”.
Manaj te Barcelona B?
“Nuk e njoh shumë, ne kemi luajtur pak së bashku në ekipin kombëtar. Por ai është një djalë që ka një të ardhme shumë të mirë përpara”.
Kujtimet e Europianit?
“Këto janë kujtime që unë do i mbaj me vete për tërë jetën. Kampionati Europian ndryshoi jetën time. Para se të shkoja në Kampionatin Europian isha i katërti sulmues dhe nuk ishte e qartë se si hyra në listë. Ndryshova skuadër gjashtë muaj më parë, shkova te Vaduz dhe atje kam luajtur shumë mirë. Shënova në tre miqësoret e fundit me Kombëtaren para Kampionatit Europian dhe fillova si titullar. Unë shënova golin e fitores me Rumaninë dhe aty ndryshoi karriera ime, për mirë. Pastaj vazhdova të shënoja gola me Kombëtaren dhe kjo më lejoi të arrij te Levante”.