Sadiku flet nga Spanja: Ka rregulla të forta, për pak mora gjobë në supermarket

Spanja është një nga vendet më të prekura në Europë nga Koronavirusi, që po merr shumë jetë, duke qenë në gjurmët e Italisë, përsa i përket bilanceve të të prekurve dhe viktimave.

Në vendin Iberik luajnë disa lojtarë shqiptarë, mes të cilëve edhe Armando Sadiku, i cili ka treguar rreth situatës që po kalon ai dhe i gjithë qyteti i Malagas nëpërmjet një lidhje direkte në emisionin “Opinion”.

Armando je në Malaga apo jo?

Ndodhem në Malaga në Spanjë. Kam rreth 8 muaj që ndodhem këtu dhe jam edhe unë në karantinë si të gjithë. Që nga dita e diel jemi të izoluar. Kishim stërvitje të hënën, por kur shkuam atje na thanë se nga sot nuk do të vini më në stërvitje dhe kam tre ditë tashmë në shtëpi që jam i izoluar.

Kampionati është i bllokuar krejtësisht?

Po, kampionati është i bllokuar edhe ndeshjet me kombëtaren që i kishim në fund të marsit nuk do të zhvillohen. Këtu në Spanjë thuhet se La Liga mund të fillojë më 24 prill, por nuk është vendosur plotësisht. Gjithçka është e bllokuar. Janë marrë masa shumë strikte nga presidenti Sançez dhe sot në supermarket për pak na kanë vënë gjobë sepse kemi hyrë dy veta të një familje brenda. Në supermarket vetëm njëri duhet të futet brenda dhe tjetri duhet të presë jashtë.

Në Malaga vdiq një 21-vjeçar që stërviste një prej ekipeve të të rinjve dhe ky mund të jetë personi më i ri i vdekur prej koronavirusit…

Po, ka qenë një 21-vjeçar. Ka qenë trajneri i ekipeve të moshave të Malagas, por duhet thënë që ai vuante prej 6-7 vitesh nga Leuçemia dhe ky ishte shkaku përse ai vdiq.

Si po i kalon këto ditë?

Gjërat normale. Klubi më ka qëndruar shumë pranë. Më ka sjellë materiale që po stërvitemi në shtëpi dhe na ka dhënë një program me video me gjërat që duhet të bëjmë në stërvitje, që të mos e humbim formën që kemi sepse nuk i dihet. Nga momenti në moment mund të fillojë kampionati dhe mund të kthehemi në stërvitje.

SHKARKO APP