Sadiku: Ndeshjen duhet ta kishim fituar, të përfitonim nga dobësia e Kroacisë. Duhet më shumë strategji në fushë
Barazimi 2-2 në sfidën e Grupit B mes Kroacisë dhe Shqipërisë u prit mirë nga një pjesë e tifozëve dhe ndjekësit e futbollit. Megjithatë shumë të tjerë janë shprehur kritikë për mundësitë që ka pasur ekipi ynë kuqezi për të shënuar gol dhe për të përmbysur rezultatin. Ish-futbollisti i kombëtares, Armando Sadiku thotë se futbollistët bënë një lojë shumë të mirë në fushën e gjelbër dhe se ekipi duhet të kishte dalë fitues nga stadiumi në Hamburg.
“E nisën shumë mirë ndeshjen, jo si me Italinë që e nisën dhe e mbajnë golin dhe pastaj ishin në heshtje pothuajse gjatë gjithë pjesës së parë. E nisën pjesë e parë shumë fort dhe me gjithë shpirt çunat kanë luajtur shumë mirë pjesën e parë. Mund të kishim realizuar edhe golin e dytë, që do të ishte vendimtar për ne, po nganjëherë fati nuk ishte me ne. Por më fund arritën të barazonim. Për mendimin tim kemi merituar ta fitonim ndeshjen, sepse luajtëm një pjesë të parë shumë të mirë, perfekt do thoja”.-tha sulmuesi dhe ish-futbollisti i kombëtares Armando Sadiku.
Gjatë fjalës së tij Sadiku tha se pavarësisht se ndeshja me Kroacinë ishte më e mirë se ajo me Italinë, sugjeroi që lojtarët duhet të përdorin më shumë strategji në fushë.
”Kur jemi në avantazh duhet të vonojmë sa më shumë lojën, të luajmë me nervat e kundërshtarit. Kjo na ka munguar në të dyja ndeshjet, vonimi pak i lojës, duke e çorientuar kundërshtarin. Unë personalisht nuk e prisja që Kroacia të ishin kaq dobët, nuk ishte dobët sepse ne u vendosëm shumë mirë në fushën e lojës. Mendoja se ata mund të ishin më shumë agresivë, të krijonin më shumë raste. Ishin me të vërtet dobët. Ne duhet të kishim fituar këtë ndeshje duhet të kishim përfituar nga dobësia që tregoi Kroacia”,-tha Sadiku