Sampdoria, Lautaro dhe elozhet për Atalantën: Conte me strategji ndryshe
Interi pret Sampdorian nesër në mbrëmje në “San Siro” dhe duhet të fitojë me çdo kusht për të vazhduar ndjekjen e Juventusit. Trajneri zikaltër, Antonio Conte është ndalur te skuadra kundërshtare në konferencën për shtyp, ka një koment për Lautaro Martinez dhe thur elozhe për… Atalantën.
NDESHJA – “Sampdoria është në rritje, pavarësisht humbjes së fundit. Kanë një trajner me shumë eksperiencë si Ranieri dhe lojtarë me cilësi si Quagliarella. Duhet të përpiqemi të marrim tre pikët. Luajtëm të enjten dhe është e vështirë të përgatitësh ndeshjen për vetëm një ditë. Do ndryshojmë strategji, jemi gati për të luajtur gjatë gjithë ndeshjes me intensitet, por varet edhe nga kundërshtarët”.
KORONAVIRUSI – “Duhet të përpiqemi të mos krijojmë panik të madh, por nuk mund ta nënvlerësojmë këtë çështje dhe nevojitet vëmendje e madhe. Sektori i shëndetësisë në Itali do të në orientojë se çfarë duhet të bëjmë”.
LAUTARO – “Ai është një djalë serioz dhe i përqendruar. Duhet të vazhdojë kështu, ka mundësi për t’u përmirësuar ende, pavarësisht se ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme. Impenjohet shumë dhe punon fort, jam i lumtur që e kam në dispozicion”.
TITULLI – “Duhet të mendojmë vetëm për veten tonë dhe si mund të përmirësohemi, ndeshje pas ndeshje. Mos të harrojmë një ‘zonjë’ si Atalanta, që po realizon gjëra të shkëlqyera. Ata janë një realitet i kampionatit tonë. Rrugëtimi ynë, njësoj si në jetë, përbëhet edhe nga rrëzime, por rëndësi ka që ta kemi të qartë në trurin tonë se çfarë po bëjmë”.