“San Siro” është bekim për Strakoshën, aty lindi karriera brilante
Thomas Strakosha ka një lidhje të veçantë me “San Siron”, pasi aty ka debutuar për herë të parë nga minuta e parë në Seria A ndaj Milanit. Kështu skuadra bardhekaltër fitoi garanci, pasi portieri i kombëtares sonë ka arritur që me kalimin e ndeshjeve të fitojë gjithmonë e më shumë garanci. Gjithçka lindi më 20 shtator të vitit 2016. Pak orë para ndeshjes ndaj Milanit, te Lazio u dëmtua Marchetti, Inzaghi vendosi që të mos t’i besonte portierit Vargic, por te portieri i tretë, të cilin e njihte te ekipi i moshave, Thomas Strakosha. “Gardiani” shqiptar do të rikthehet sërish në stadiumin mitik, pa asnjë shqetësim dhe me një siguri që e kanë kthyer në një veteran. Humbja 2-0 e asaj ndeshje nuk ndikoi aspak në karrierën e tij, pasi Strakosha fitoi me atë ndeshje fanellën e titullarit. Nuk ka munguar asnjë minutë gjatë këtij sezoni, duke qenë i pazëvendësueshëm në formacionin e drejtuar nga Simeone Inzaghi.
Humbja e fundit në kampionat ndaj Spal dhe mungesa e fitores edhe ndaj Sassulos, ka vendosur edhe më shumë në diskutim objektivin për të arritur në zonën Champions, por portieri shqiptar ndryshe nga shokët e tij nuk është vendosur në diskutim. Në ndeshjen e dy javëve më parë ndaj Interit në “San Siro”, Strakosha ishte një nga arkitektët e fitores, duke bërë disa pritje shpëtimtare. Në “San Siro”, gjithmonë kundër Interit, më 31 janar të këtij viti, portieri shqiptar ishte vendimtar duke bërë pritje vendimtare në penalltitë ndaj Martinez dhe Nainggolan për të arritur në gjysmëfinale të Kupës.
Të shtunën Strakosha do të mundohet që të shkëlqejë sërish, për të ndihmuar ekipin e tij në shansin e fundit për të arritur në Champions. Milano deri më tani i ka sjell fat në karrierën e tij, ndërkohë që “San Siro” i jep një siguri më shumë. Trajneri Inzaghi ndihet krenar që vendosi t’i besonte në vitin 2016, një guxim që duhet ta kenë të gjithë trajnerët. Mungesa e një mbrojtje jo solide nuk ka ndikuar aspak gjatë këtij sezoni, pasi vlerat e Strakoshës vijojnë që të bie në sytë e të gjithëve në Itali. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

