Sarri darkon me presidentin Agnelli dhe Paraticin, vendosin një “pakt”
Në shtëpinë e Juventusit ka rënë kambana e alarmit pas humbjes kundër Veronës. Drejtuesit e skuadrës torineze kanë thirrur menjëherë në apel trajnerin Sarri për t’i kërkuar llogari për situatën delikate që po kalon skuadra në duelet e fundit.
Presidenti Andrea Agnelli ka darku me strategun, ndërkohë që pak më vonë i është bashkuar edhe drejtori sportiv, Fabio Paratici. Sipas “La Stampa” takimi ka ndodhur në restorantin “Betimento”, të cilin e frekuentonte edhe në kohën kur në krye të skuadrës ishte Allegri. Një darkë kur në qendër të vëmendjes ishte momentin negativ i ekipit.
Mediat italiane raportojnë se numri një i bardhezinjve i ka konfirmuar besimin trajnerit për të vazhduar punën i qetë në krye të ekipit. Skuadra torineze do të jetë e impenjuar të enjten në mbrëmje në Kupën e Italisë, ku do të luajë gjysmëfinalen e parë ndaj Milanit. /R.Lika-Koha Jone/