Seferi pranë hapit të madh në karrierë, e kërkojnë tre ekipe në Itali
“Euro2024” është një vitrinë e shkëlqyer për yjet kuqezi, ky është një fakt, për më tepër që pjesa e tyre më e madhe janë në qendër të merkatos, pritet të ndryshojnë destinacion pas kësaj vere. Një prej tyre është edhe Taulant Seferi, sulmuesi kuqezi, i cili mbylli një sezon në Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u rikthyer pas Evropianit në Ukrainë, te Vorskla Poltava, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij. Seferi pritet të jetë thjesht kalimtar në Ukrainë, pasi sipas mediave italiane, për të ka një interesim të lartë nga Serie A.
Sipas TuttomercatoWeb, për Seferin janë të paktën tre ekipet që po ndjekin nga pranë zhvillimin e tij, pritet të jetë një nga të vëzhguarit special në “Euro2024” pasi sipas mediave italiane Seferi është projektuar titullar nga Sylvinho. Cagliari, Lecce dhe Empoli janë tre ekipet që kanë shfaqur interesim për ish sulmuesin e Tiranës.
Gjithnjë sipas Tuttomercatoweb, jo vetëm në Serie A, Seferi pëlqehet edhe në Premier League, ku interesim për të ka shfaqur ekipi i Ipswich Town, të sapo ngjiturit në elitë.