Selahi: Ja pse zgjodha Shqipërinë para Kosovës, kam idhull Modric!
Lindon Selahi ka lindur në Belgjikë dhe është formuar si futbollist në akademitë më të mira belge. Ai e ka nisur karrierën te Standard Liege për të vazhduar më pas rrugëtimin e tij te Anderlehti e për t’u stacionuar te klubi holandez i FC Twente, ku aktivizohet aktualisht.
Thuajse një vit pas debutimit me fanellën kuqezi ai u ftua në kombëtaren A e që prej atij momenti ka qenë pjesë e vazhdueshme e grumbullimeve. Selahi është pjesë e një brezi të artë të talenteve shqiptare dhe projektohet si një nga elementët më të rëndësishëm të mesfushës kuqezi.
Në intervistën e tij për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, mesfushori 21-vjeçar flet për rrugëtimin e tij, pse zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë dhe objektivat që ka për të ardhmen.
“Që kur isha i vogël kam qenë gjithmonë i apasionuar pas topit të futbollit. Në fakt, e gjithë familja ime është e apasionuar pas sportit më popullor në botë. Vëllai im i madh dhe babai im më kanë ndjekur çdo herë dhe kanë besuar qysh në fillim se unë do të bëhesha një ditë futbollist profesionist”.
Tashmë je pjesë e rregullt e Kombëtares A. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?
Te Kombëtarja unë e konsideroj veten si pjesë të ekipit të parë. Trajneri Reja ka besim tek unë dhe ai e tregoi këtë në ndeshjet e fundit. U integrova shpejt në ekip dhe mendoj se kemi një atmosferë shumë të mirë.
Sa i përket ecurisë me klubin, vitin e kaluar isha një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës time, por këtë vit ka ardhur një trajner i ri dhe nuk jam aktivizuar rregullisht. Mendoj se është këto janë gjëra që mund të ndodhin në karrierë, por unë vazhdoj të stërvitem edhe më shumë se më parë.
Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (fillimisht debutimi me ekipin kombëtar U-21 e më pas në Kombëtaren A)
Në fakt, unë kam pasur mundësi të luaja për ekipin kombëtar U-21 të Belgjikës dhe për Kosovën, por zemra ime zgjodhi flamurin tim. Ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë, isha shumë më i lumtur për familjen time sesa për veten.
Si e shikoni të ardhmen e Kombëtares duke pasur parasysh grupin e lojtarëve që ka aktualisht. Deri ku mund të arrijë kjo skuadër, çfarë objektivash mund të realizojë?
Sinqerisht mendoj se me këtë ekip që kemi mund të bëjmë surpriza. Ne kemi një ekip të ri me lojtarë shumë të mirë, të cilët luajnë edhe me klube të mëdha në Europë. Kemi diskutuar për objektivat, por do t’i marrim me radhë ndeshje pas ndeshjeje, duke u përpjekur t’i fitojmë të gjitha.
Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaren dhe me klubin.
Momentin që kurrë nuk e harroj është kur shënova golin e parë me Twente. Në atë çast e gjithë familje ime ishte në stadium, duke ndjekur ndeshjen edhe ishte një gëzim i jashtëzakonshëm. Me kombëtaren kam dy momente, që nuk do më shlyhen kurrë nga mendja.
Momenti i parë është miqësorja me Kosovën, pasi ishte ndeshja e parë që unë luaja në formacionin e parë me Kombëtaren A. Dhe momenti i dytë është ndeshja zyrtare në stadiumin “Air Albania” ndaj Bjellorusisë e vlefshme për UEFA Nations League.
Shumë i lumtur që e fituam atë sfidë dhe u renditëm të parët në grup. Sigurisht, u ndje shumë mungesa e tifozëve në stadium, por gjithsesi ne e dinim që të gjithë shqiptarët kudo në botë po na mbështesnin nga larg në ato çaste.
Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin ?
Unë u largova nga shtëpia dhe familja për të ndjekur ëndrrën time kur isha 14 vjeç. Ishte shumë e vështirë për mua, por edhe për familjen time. Të mos shihja prindërit dhe vëllanë çdo ditë ishte e vështirë, por ky moment më bëri shumë të fortë nga ana psikologjike.
Çfarë synimi ke për të ardhmen?
Si çdo futbollist profesionist synoj që të kem një karrierë të madhe dhe të luaj në nivele të larta në Europë. Dhe me Kombëtaren ëndërroj të marr pjesë në finalet e Botërorit dhe Kampionatit Europian. Punoj çdo ditë fort për të arritur këto objektiva.
Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?
Lorik Cana dhe mendoj se për shumicën e futbollistëve të rinjve ai është idhulli. Ai pati shumë sukses me kombëtaren. Në fushë ai jepte zemrën gjithmonë në çdo ndeshje. Kurse Luka Modriç është idhulli ime personal. Mendoj se jam i fiksuar pas mënyrës se si ai luan. Për mua ai është mesfushori më i fortë në botë, shikoj shpesh videot e ndeshjeve të tij.