Selahi tregon “sekretet”: Shoh videot e Modric dhe falem (VIDEO)
Debutoi me Kombëtaren shqiptare në muajin shtator dhe tashmë kërkon konfirmimin me ngjyrat kuqezi. Po flasim për Lindon Selahin, që luan me FC Tëente në kampionatin “Eredivise” të Holandës. Mesfushori kosovar ka bërë përshtypje tejet pozitive këtë sezon në formacionin titullar të trajnerit Gonzalo García. Prurja më e re e Kombëtares shqiptare ka luajtur 12 ndeshje dhe ka shënuar një gol me skuadrën e tij deri tani.
20-vjeçari i lindur në Namur të Belgjikës pranon se ka luajtur me shumë lojtarë cilësorë, por në debutimin e tij me Kombëtaren kuqezi hasi më të mirët ndonjëherë: “Kam luajtur në një skuadër me shumë lojtarë të mirë, gjithashtu i kam pasur kundër. Sidoqoftë, ndaj Francës kam luajtur me të vërtetë kundër njërit prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave, mendoj. Gjithçka e këtushme ngjason shumë me Belgjikën. Jam shumë i lumtur në Holandë, edhe pse është shumë ftohtë dhe bie shumë shi” – u shpreh Selahi.
Selahi u pyet edhe për idhullin e tij dhe ai nguroi ta tregonte: “Lojtari im i preferuar është qartësisht Luka Modric. Ai luan në të njëjtin pozicion si unë dhe kjo është arsyeja pse kam parë shumë video të tij. Dua të përpiqem të bëhem si ai. Unë mendoj se është një nga mesfushorët më të mirë në botë”.
Lojtari me origjinë nga Kosova e shijoi më shumë se të tjerat ndeshjen me PSV-në: “Kjo ishte një ndeshje vërtet e mirë dhe atmosfera në stadium, e zjarrtë. Përveç kësaj, arritëm një rezultat të mirë, falë një loje të shkëlqyer”.
Fansat e kanë pyetur mbi pozicionin ku do të donte të luante, nëse nuk do të ishte mesfushor: “Po të mos luaja në mesfushë, do të doja të aktivizohesha në sulm. Më pëlqen të shënoj shumë gola, si çdo futbollist”.
Një rit, që bën para të gjitha ndeshjeve, e zbulon Selahi në këtë komunikim me tifozët e skuadrës së tij: “Falem, pasi jam mysliman. I kërkoj Zotit që të mos dëmtohem dhe të jap më të mirën time në fushë”.