Selmani përfundon në orbitën e ekipeve të Superligës turke
Gentian Selmani vijon të jetë në qendër të merkatos. Portieri i talentuar i kombëtares shqiptare në vetëm një sezon ka arritur të lerë shenjë te skuadra e Menemenspor në kategorinë e dytë, duke përfunduar në radarët e shumë klubeve të rëndësishme jo vetëm në Turqi por edhe në Itali, Greqi e Rusi.
Megjithatë e ardhmja e 22-vjeçarit kuqezi me shumë gjasa do të vazhdojë të jetë në Turqi por duke filluar që nga sezoni i ardhshëm ai mund të luajë në Superligën turke. Klubi i Konyaspor e dëshiron me çdo kusht ish-gardianin e Laçit dhe po përgatit ofertën për të bindur Menemenspor me klubin e ligës së dytë që është i gatshëm ta shesë pasi nuk dëshiron ta humbasë me parametër zero pas 1 viti.
Për 22-vjeçarin kanë shfaqur interes edhe Bologna në Itali, gjigantët grekë të Olympiacos apo Spartak Moska dhe Krasnodari në Rusi, gjithsesi Konyaspor po këmbëngul më shumë për kuqeziun dhe shanset më të mëdha janë që ish-portieri i Shpresave të Shqipërisë të transferohet te Konyaspor.