Serbët i sfiduan edhe me lazer yjet e Anglisë, ja një nga momentet që po bën xhiron e rrjetit
Fitorja 5-0 e Anglisë ndaj Serbisë në kualifikueset e Botërorit u shoqërua me një incident të pakëndshëm në stadiumin “Rajko Mitiç” të Beogradit. Disa futbollistë anglezë u vunë në shënjestër nga një lazer gjatë ndeshjes, duke detyruar gjyqtarin të ndërpriste përkohësisht sfidën.
Fillimisht, kapiteni i Chelsea-t, Reece James, u godit nga drita e lazerit, teksa përgatitej të ekzekutonte një goditje dënimi. Më pas, mbrojtësi i Aston Villës, Ezri Konsa, që luante titullar në qendër të mbrojtjes, u pa duke reaguar i shqetësuar gjatë një aksioni, pasi lazeri e kishte kapur në sy.
Pas këtij momenti, arbitri francez Clement Turpin ndali lojën dhe u konsultua me asistentët e tij. Vetëm pas disa minutash loja rifilloi, ndërsa në stadium u dha një paralajmërim zyrtar në gjuhën serbe, duke u kërkuar tifozëve të ndalonin përdorimin e lazerëve.
KOHA JONË SONDAZH

