Seria A/ Atalanta fiton thellë ndaj Parmës, Genoa befason Bolognën

Atalanta u rikthye te fitoret në Serie A, duke dhënë një sinjal të fortë force pas triumfit të thellë 4-0 ndaj Parmës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 22-të të kampionatit italian.

Skuadra e Gian Piero Gasperinit e nisi takimin me intensitet të lartë dhe e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 15-të, kur Gianluca Scamacca u tregua i saktë nga pika e bardhë. Presioni i bergamaskëve vijoi dhe vetëm nëntë minuta më pas, Marten de Roon dyfishoi shifrat, pas asistit të Charles De Ketelaere. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-0 për vendasit.

Në fraksionin e dytë, Atalanta administroi lojën dhe në minutën e 73-të, Giacomo Raspadori, i afruar në merkaton e dimrit, realizoi golin e tretë. Fitorja u vulos në minutat e fundit nga Krstovic, që shënoi golin e katërt.

Swiss Digital Desktop Reklama

Falë këtij suksesi, Atalanta shkon në kuotën e 35 pikëve dhe ngjitet në vendin e shtatë të renditjes, ndërsa Parma zbret në vendin e 14-të me 23 pikë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në ndeshjen tjetër të ditës, Genoa arriti një fitore dramatike 3-2 ndaj Bolognas në shtëpi, pas një përmbysjeje spektakolare. Miqtë e mbyllën pjesën e parë në avantazh 0-2, pas golit të Lewis Ferguson dhe autogolit të Otoa. Megjithatë, kartoni i kuq i portierit Skorupski në minutën e 57-të ndryshoi rrjedhën e ndeshjes.

Genoa përfitoi nga superioriteti numerik, duke ngushtuar diferencën me Malinovskyn në minutën e 62-të, ndërsa Ekuban barazoi shifrat në minutën e 78-të. Në minutat shtesë, Junior Messias realizoi golin e përmbysjes, duke i dhënë fitoren vendasve.

Ky sukses e ngjit Genoan në vendin e 13-të me 23 pikë, ndërsa Bologna mbetet në vendin e tetë me 30 pikë. Më herët gjatë ditës, Sassuolo arriti një fitore minimale 1-0 në shtëpi ndaj Cremoneses.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?