Seria A si në kohët e arta, shtohet ndjeshëm numri i tifozëve në stadiume
Pas përfundimit të fazës së parë, në Seria A është periudha më e mirë për të bërë disa bilance dhe për këtë gjë mediat italiane nuk humbasin shumë kohë. Një i tillë është edhe ai i numrit të tifozëve që kanë ndjekur ndeshjet nëpër stadiume gjatë këtyre javëve dhe shifrat duken mjaft optimiste, pasi është shënuar një rritje e ndjeshme, që nuk ishte parë në 15 vitet e fundit.
Sipas të dhënave zyrtare, të 189 ndeshjet e zhvilluara në gjysmën e parë të sezonit, kanë sjellë më tepër se 5 milionë njerëz në shkallët e stadiumit, shifër kjo që mund të rritet, pasi nuk është zhvilluar akoma sfida mes Lazios dhe Veronës.
Java e 19 dhe e fundit për fazën e parë ka sjellë një numër rekord njerëzish në shkallët e stadiumit, plot 311 740 tifozë (shifër që mungonte prej 15 vitesh), ndërsa mesatarja për ndeshje është 31 174 dhe vlen të theksohet se kryesojnë sfida Inter-Atalanta me më tepër se 70 mijë, e ndjekur nga Roma-Juventus me 60 mijë.
Edhe mesatarja e përgjithshme e tifozëve për ndeshje është rritur në 26 952 tifozë për ndeshje, shifër kjo 6% më e lartë se një vit më parë dhe 29% më e lartë se dy vite më parë, ndërsa nëse vazhdohet me këtë ritëm, Seria A 2019-2020 do të ndiqet nga më tepër se 10 milionë njerëz në stadium, shifër kjo e regjistruar për herë të fundit në sezonin 1991-1992.