Sfida me Çekinë, Rrahmani: Pres një përballje me tension
Kombëtarja e Kosovës është pranë ëndrrës për të prekur kualifikimin në “Euro 2020”.
Në një deklaratë për mediat, kapiteni i “dardanëve”, Amir Rrahmani u shpreh se në Çeki do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Mbrojtësi i Veronës parashikon një përballje me tension, por sipas tij presioni mund të jetë më i madh te vendasit dhe këtë “Dardanët” duhet ta shfrytëzojnë.
“E dimë që është një ndeshje shumë e vështirë, sepse luajmë ndaj kundërshtarit direkt për vendin e dytë. Takimin e parë në shtëpi e kemi fituar 2-1, por atje do të jetë shumë ndryshe, me shumë presion. Presioni nuk do të jetë vetëm mbi ne, madje Çekia do të ketë më shumë presion. Ndoshta është më mirë për ne që ata kanë më shumë presion për fitoren. Kështu që do të jetë një përballje me tension, por qëllimi ynë kryesor është të japim maksimumin. Besoj që rezultati do të vijë”.
Kosova mund të kualifikohet në Europian dhe nëpërmjet Ligës së Kombeve, por Rrahmani këmbëngul se ekipi nuk duhet të shfokusohet duke menduar se e ka edhe një mundësi tjetër.
“Përderisa kemi shans që të kualifikohemi nëpërmjet kualifikueseve të Europianit, po, besojmë se mundemi dhe duhet ta provojmë. E kemi thënë me kohë që nuk duhet të mendojmë për Ligën e Kombeve sepse kemi përpara kualifikueset. Të gjithë lojtarët janë të fokusuar aty”.