Sfida vendimtare ndaj Polonisë, yjet kuqezi nisen për në Varshavë
Kombëtarja e Shqipërisë është gati për sfidën e parë të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026, ku nesër, në orën 20:45, do të përballet me Poloninë. Kuqezinjtë janë nisur sot, nga Arena Kombëtare drejt Aeroportit Ndërkombëtar Nënë Tereza, për të udhëtuar më pas drejt Varshavës, ku do të zhvillohet kjo përballje vendimtare.
Një ditë më parë, skuadra zhvilloi stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për këtë takim. Sipas njoftimit të Federata Shqiptare e Futbollit, grupi ka qenë i plotë, pasi në seancë u bashkuan edhe tre lojtarët e fundit. Gjithashtu, bëhet e ditur se të gjithë futbollistët janë në gjendje optimale fizike.
Pas mbërritjes në kryeqytetin polak, Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë edhe stërvitjen zyrtare në stadiumin PGE Narodowy, duke filluar nga ora 18:00. Ndërkohë, në prag të sfidës, trajneri dhe një prej lojtarëve do të dalin në konferencën për shtyp përpara mediave.
Atmosfera në kampin kuqezi duket pozitive dhe me grupin në formë të plotë, Shqipëria synon të marrë një rezultat pozitiv në një duel që do të vendosë për fatin e kualifikimit historik për në Botëror.
KOHA JONË SONDAZH

