
Xherdan Shaqiri ka folur sërish për një nga momentet më të komentuara të karrierës së tij, gjestin e shqiponjës dykrenare që bëri së bashku me Granit Xhakën dhe Stephan Lichtsteiner gjatë ndeshjes Zvicër–Serbi në Kupën e Botës 2018.
Në një intervistë të fundit, futbollisti me origjinë shqiptare është ndalur te atmosfera e asaj përballjeje, duke kujtuar provokimet që, sipas tij, shoqëruan ndeshjen dhe emocionet që çuan në festimin e famshëm.
“I kujtoj atmosferën para dhe gjatë asaj ndeshjeje. Kishte shumë provokime dhe gjesti ishte një reagim emocional. Për mua rëndësi kishte fitorja në aspektin sportiv dhe jo politik, por më pas ngjarja mori përmasa të mëdha politike dhe mediatike”, u shpreh Shaqiri.
I pyetur nëse mediat e kishin ekzagjeruar mënyrën se si e trajtuan këtë çështje, ish-futbollisti i Zvicrës theksoi se një pjesë e opinionit zviceran nuk e kishte kuptuar plotësisht domethënien e gjestit.
“Shumë zviceranë nuk e kuptuan dhe nuk e njihnin historinë që qëndronte pas këtij veprimi, arsyen pse unë, Graniti dhe Stephani e bëmë atë gjest. Besoj se kishte shumë emocione të përfshira. Mendoj se sot ky veprim nuk do të konsiderohej aq i rëndë”, deklaroi ai.
Gesti i shqiponjës dykrenare u bë në qershor të vitit 2018, gjatë fitores 2-1 të Zvicrës ndaj Serbisë në fazën e grupeve të Botërorit në Rusi. Shaqiri dhe Xhaka festuan në këtë mënyrë golat e tyre, duke shkaktuar reagime të shumta në arenën ndërkombëtare.
Ngjarja u shoqërua me polemika të forta dhe diskutime politike e sportive, ndërsa FIFA vendosi gjoba ndaj të dy futbollistëve për sjellje josportive. Megjithatë, për Shaqirin, ai moment mbetet i lidhur me emocionet e një ndeshjeje të veçantë, në të cilën Zvicra siguroi një fitore të rëndësishme.
