
Pas debutimit me Kombëtaren shqiptare, Stavros Pilo ka regjistruar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e tij. Mbrojtësi i AEK Athinës shënoi golin e parë në Champions League, duke mposhtur Gianluigi Donnarummën në transfertën ndaj Manchester Cityt, edhe pse skuadra greke u mposht me rezultatin e thellë 5-1.
Viti 2026 po rezulton i rëndësishëm për Stavros Pilo. Pas debutimit me fanellën kuqezi, futbollisti shqiptar ka gjetur edhe golin e parë në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube.
Pilo ishte protagonist në përballjen e vështirë të AEK Athinës në transfertën angleze, ku Manchester City triumfoi me rezultatin 5-1. Mbrojtësi shqiptar arriti të linte gjurmën e tij në stadiumin “Etihad”, duke shënuar golin e vetëm të skuadrës greke. Ishte minuta e 52-të kur mëngjërashi përfitoi nga rasti për të mposhtur Donnarummën me një goditje diagonale, duke ngushtuar përkohësisht diferencën në 2-1.
Një gol me vlerë të veçantë për 26-vjeçarin, që tashmë mund të regjistrojë në karrierën e tij edhe realizimin e parë në Champions League. Megjithatë, goli nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e takimit, pasi skuadra angleze vijoi dominimin dhe siguroi një fitore të thellë.
Në përfundim të ndeshjes, futbollisti shqiptar nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin, pavarësisht arritjes personale.
“Nuk mund të jem i lumtur për golin tim të parë në Evropë. Tani duhet të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme e kampionatit, sepse aty duam të arrijmë diçka.
E vërteta është se ishim konkurrues. U përpoqëm të luftonim, të ndërtonim lojën dhe të luanim futbollin tonë. Në ndeshje të tilla, detajet kanë rëndësi dhe duhet të jesh 110 për qind i përqendruar. E dinim se do të ishte shumë e vështirë”, deklaroi mbrojtësi shqiptar.
