Shevchenko, në “San Siro” për Shakhtarin dhe … Milanin
Andriy Shevchenko do të rikthehet sërish në Itali, por këtë herë jo si futbollist, por si trajner. Strategu i Ukrainës do të jetë i pranishëm në “San Siro” për të ndjekur skuadrën e vendit të tij, por jo vetëm kaq.
Mediat italiane raportojnë se ish-futbollisti i Milanit do të ketë një takim pikërisht me drejtuesit kuqezinj, Boban dhe Maldini, ku nuk përjashtohet ideja e marrjes së drejtimit të Milanit nga ana e ukrainasit.
Marco Giampaolo është drejt shkarkimit, megjithatë ulja në stol e Andriy Shevchenko duket e vështirë, nisur nga fakti që 43-vjeçari po shkëlqen nën drejtimin e Ukrainës drejt “Euro 2020”, atje ku udhëheq grupin B.
Ish numri 7 i Milanit është aktualisht trajner i kombëtares ukrainase dhe po shfrytëzon rastin për të parë nga afër disa nga futbollistët e Shakhtarit, ashtu si edhe për të takuar miqtë e tij, Boban e Maldini, që janë drejtues të klubit kuqezi.