Shkëlqimi i Moleiros: Mesfushori i Villarrealit thyen rekordet

Sezoni i Alberto Moleiros te Villarreal po shteron superlativat. Mesfushori i ri kanarian shkëlqeu sërish të hënën kundër Espanyolit, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asist, duke zgjeruar katalogun e tij. Me këtë ritëm, ai po kërcënon të bëhet një nga mesfushorët me statistikat më të mira në historinë e Villarrealit.
Deri më tani, 22-vjeçari ka shënuar nëntë gola në kampionat. Kjo shifër tejkalohet vetëm nga gjashtë futbollistë, shumica sulmues. Moleiro, i cili luan në mesfushë, po përmirëson statistikat e lojtarëve si Raphinha, Antony apo Vinicius, të cilët kanë vlera tregu shumë milionëshe dhe janë më të konsoliduar në elitë.
Me 16 ndeshje ende përpara, sezoni i Moleiros po e katapulton atë si një nga mesfushorët sulmues më të mirë në historinë e klubit, duke u krahasuar me emra si Juan Román Riquelme, Santi Cazorla dhe Robert Pires. Riquelme kryeson renditjen me 15 dhe 12 gola në sezonet 2004-05 dhe 2005-06. Aktualisht, Moleiro barazon nëntë golat e Roberto Sorianos nga sezoni 2016-17 dhe, nëse vazhdon, mund t’i afrohet shifrave të Riquelmes, lojtarit më të mirë në historinë e Villarrealit.
I pyetur për formën e tij dhe mundësinë për një vend në kombëtare, futbollisti preferoi të mbetej modest. “I mirëpres këto lavdërime dhe më pëlqen që flitet mirë për mua. Kjo do të thotë se po bëj një punë të mirë. Nuk i vendos vetes objektiva. Jam i fokusuar këtu dhe te ekipi,” tha ai. Megjithatë, me nivelin aktual, debati për përfshirjen e tij në listën e ardhshme të kombëtares është në tryezë.
Marrë nga Marca
KOHA JONË SONDAZH

