Shorti i Champions League/ Priten përballje spektakolare në fazën e 1/8-ve
Të premten në orën 11:00 do të hidhet shorti i fazës me eliminim direkt të Champions League, ku 16 skuadrat e kualifikuara do të mësojnë rrugëtimin e tyre drejt finales së madhe. Në mesin e ekipeve që siguruan kualifikimin janë pesë klube angleze, Arsenal, Liverpool, Chelsea, Manchester City dhe Tottenham Hotspur, të cilave iu bashkua edhe Newcastle United pas triumfit bindës me rezultat të përgjithshëm 9-3 ndaj Qarabag FK në raundin “play-off”.
Tetë fituesit e fazës “play-off” do të bashkohen me tetë skuadrat e para të renditura në tabelën e fazës së ligës. Shorti nuk do të përcaktojë vetëm kundërshtarët e fazës së 1/16-ave, por edhe anën e skemës për secilin ekip, duke ofruar një pasqyrë të qartë të përballjeve të mundshme deri në finale.
Ndeshjet e para të 1/16-ave janë planifikuar për datat 10 dhe 11 mars, ndërsa sfidat e kthimit do të zhvillohen më 17 dhe 18 mars. Nga kjo fazë e tutje, gara do të vijojë me sistem vajtje-ardhje, me përjashtim të finales.
Finalja e sezonit 2025-26 do të luhet më 30 maj në “Puskas Arena” në Budapest, Hungari. Ky sezon sjell risi të rëndësishme në format. Renditja në fazën e ligës do të ndikojë jo vetëm në shortin e 1/16-ave, por edhe në përcaktimin e çerekfinaleve dhe gjysmëfinaleve. Tetë skuadrat e para do të jenë të favorizuara në 1/16-a dhe do ta luajnë ndeshjen e kthimit në shtëpi.
Po ashtu, ekipet që përfundojnë nga vendi i parë deri në të katërtin do të kenë avantazh fushe në çerekfinale, ndërsa dy vendet e para do ta gëzojnë këtë privilegj edhe në gjysmëfinale, nëse arrijnë deri aty. Në rast se një skuadër e favorizuar eliminohet, statusi i saj do t’i kalojë ekipit që e nxjerr nga gara.
Me formatin e ri dhe me rivalitetin në rritje, shorti i së premtes pritet të përcaktojë përballje të forta dhe një rrugëtim të zjarrtë drejt finales së Budapestit.
KOHA JONË SONDAZH

