Shorti i Championsit/ Barcelona sfidon PSG, ja të gjitha duelet
Ditën e djeshme u hodh shorti i fazës së 1/8-ve të Champions League. “Goglat” ishin me fat për Juventusin që në turin tjetër do të sfidojë Porton, një ndeshje ku bardhezinjtë nuk pritet të kenë probleme. Sigurisht eliminimi nga Lyon në sezonin e kaluar ka lënë gjurmë, ndaj dhe torinezët nuk kërkojnë që të përsërisin të njëjtin gabim. Ndeshja më e bukur dhe më e ndezur padyshim pritet të jetë ajo mes Barcelonës dhe PSG-së. Në këtë mënyrë mund të kemi një duel mes Messit dhe Neymar, gjithmonë nëse ky i fundit do të rikuperohet deri në shkurt dhe të jetë gati për këta dy ndeshje. Më parë katalansit dhe parisienët janë takuar disa herë duke prodhuar dhe sfida që mbeten në histori. E tillë është përmbysja epike e 8 marsit të vitit 2017, kur Barcelona fitoi 6-1, duke kaluar në fazën tjetër pasi kishin humbur 4-0 në Paris.
Bayern Munchen, kanë peshkuar Lazion, një rival i lehtë në letër për bavarezët, por italianët kanë ambicie. Thomas Strakosha dhe Muriqi do kërkojnë të lënë gjurmë ndaj skuadrës më në formë në Europë edhe pse në fakt bardhekaltrit këtë sezon kanë treguar shumë probleme si në fazën mbrojtëse dhe në atë sulmuese. Portieri shqiptar ka humbur rolin e titullarit, ndërkohë që edhe bomberi kosovar nuk ka qenë thuajse asnjëherë një zgjedhje e parë. Shumë interesant edhe dueli mes Chelsea-t dhe Atletico Madrid, dy skuadra që kanë futbollistë cilësor, por që herë pas herë shfaqin dobësi.
Real Madridi, skuadra rekordmene e Championsit nuk do ta ketë një mision të thjeshtë kualifikimin. Goglat vendosën që përballë tyre të ishte Atalanta, skuadra italiane që i ka surprizuar të gjithë në vitet e fundit. Gasperini këtë herë do të përpiqet që të futet në histori për të eliminuar Los Blancos, kualitet nuk mungojnë. Krenaria më e madhe është fakti që do të shohim Berat Gjimshitin të luajë titullar ndaj Realit, teksa po gëzon një formë shumë të mirë. City nuk pritet të ketë probleme me Gladbah, edhe pse skuadra gjermane ka treguar se mund të surprizojë të gjithë pasi eliminoi Interin. Jurgen Klopp me Liverpoolin e tij do të tentojë aftësitë e shkëlqyera të Nagelsmann me Leipzig, ndërkohë që edhe Sevilla-Dortmund premton gola dhe spektakël. /Rozalb Lika-Koha Jone/
KOHA JONË SONDAZH

