
Më 6 dhjetor do të mësohet rruga që duhet të përshkojë Shqipëria drejt Kampionatit Europian 2028. Në Belfast të Irlandës së Veriut do të zhvillohet ceremonia e shortit për fazën kualifikuese, një moment që pritet me interes të madh nga tifozët kuqezi.
Shqipëria do ta presë shortin nga vazoja e tretë, çka do të thotë se do të ketë përballë kundërshtarë me nivele të ndryshme, në varësi të goglave. Kuqezinjtë mund të vendosen në një grup me katër ose pesë përfaqësuese, ndërsa delegacioni i FSHF-së do të jetë i pranishëm në ceremoninë zyrtare.
Në letër, ekziston edhe një skenar mjaft i favorshëm për skuadrën shqiptare. Duke iu referuar renditjes së FIFA-s, Greqia, e pozicionuar në vendin e 40-të, do të ishte kundërshtari më i dëshiruar nga vazoja e parë. Ndërkohë, nga vazoja e dytë, Irlanda e Veriut shihet si një prej alternativave më të përshtatshme.
Një grup ideal për Shqipërinë do të plotësohej me San Marinon dhe Lihtenshtajnin, duke krijuar një kuintet me Greqinë, Irlandën e Veriut, Shqipërinë, San Marinon dhe Lihtenshtajnin.
Por goglat mund të sjellin edhe një short shumë më të komplikuar. Spanja dhe Zvicra do të përbënin dy kundërshtarë tepër të fortë, ndërsa Finlanda dhe Azerbajxhani do ta plotësonin një grup aspak të lehtë për kuqezinjtë.
Gjithçka mbetet për t’u vendosur në Belfast. Shqipëria pret një short të favorshëm, por ëndrra për Euro 2028 do të kërkojë rezultate në fushën e lojës.
