Shqipëria kërkon biletën për në “Gjermani 2024”, moldavët s’na kanë mundur asnjëherë
Shqipëria do të sfidojë Moldavinë për të siguruar zyrtarisht kualifikimin për në Gjermani 2024. Kuqezinjtë e Sylvinhos zbresin në fushën e “Stadionul Zimbru” me misionin për të prerë biletën dhe për të ruajtur pathyeshmërinë ndaj këtij kundërshtari.
Në 6 duelet e mëparshme kundër Moldavisë, Shqipëria ka regjistruar 5 fitore dhe një barazim, në miqësoren e gushtit të vitit 2012 në Shqipëri. Ndeshje që përfundoi në barazim pa gola.
Ndeshjet e tjera kanë qenë për eliminatoret e Europianëve. Të pesta të fituara nga kombëtarja shqiptare. Kuqezinjtë kanë shënuar 14 gola, ndërkohë që kanë pësuar vetëm dy në një ndeshje të fituar në shifrat 3-2.
Formacioni – Kuqezinjtë do të zbresin në fushë me vendosjen e zakonshme 4-2-3-1. Etrit Berisha konfirmohet në portë, pasi po kalon një formë fantastike në Seria A.
Rikthehet në formacion në qendër të mbrojtjes Ardian Ismajli, i cili mungoi për arsye dëmtimi ndaj Çekisë. Nuk ndryshon asgjë në pjesën tjetër të formacionit: Hysaj e Mitaj, në krahët e prapavijës, Ramadani e Asllani para mbrojtjes, nga krahët Asani e Seferi dhe Bajrami pas sulmuesit të avancuar, Sokol Cikalleshi.