Shqipëria kërkon të thyejë mallkimin e 5 humbjeve radhazi, të shtunën sfidon Bjellorusinë

Shqipëria nis këtë të shtunë aventurën në Ligën e Kombeve, me objektivin për të shmangur një seri historike humbjesh. Kuqezinjtë do të përballen me Bjellorusinë, në një sfidë ku presioni është i madh për skuadrën e drejtuar nga Rolando Maran.

Kombëtarja shqiptare vjen në këtë takim pas pesë humbjeve radhazi, seri që u zgjat pas disfatës në miqësoren ndaj Luksemburgut në muajin qershor. Një tjetër humbje do të sillte përsëritjen e serisë më negative të Shqipërisë që prej vitit 1997. Për më tepër, kuqezinjtë kanë shfaqur probleme të dukshme në fazën ofensive.

Shqipëria nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në katër nga pesë ndeshjet e fundit, ndërsa trajneri Rolando Maran ende pret golin e parë që nga marrja e drejtimit të Kombëtares. Italiani ka regjistruar dy humbje në dy ndeshjet e para në krye të kuqezinjve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Objektivi i Shqipërisë mbetet rikthimi në Ligën B, por për ta realizuar këtë, skuadra duhet të reagojë që në start. Edhe statistikat në Tiranë nuk janë në favorin e kuqezinjve. Shqipëria ka humbur tre ndeshjet e fundit në kryeqytet, pa mundur të shënojë asnjë gol.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në krahun tjetër, Bjellorusia vjen në një moment dukshëm më pozitiv. Pavarësisht se renditet 29 vende më poshtë se Shqipëria në klasifikimin e FIFA-s, skuadra bjelloruse ka gjashtë ndeshje radhazi pa humbje, me tre fitore dhe tre barazime.

Katër prej këtyre takimeve janë zhvilluar nën drejtimin e trajnerit Viktor Gonsharenko, me tre fitore dhe një barazim. Bjellorusët synojnë të vijojnë këtë seri dhe të luftojnë për ngjitjen nga Liga C. Megjithatë, edhe kundërshtari i Shqipërisë ka problemet e veta. Mbrojtja mbetet një pikë e dobët, pasi në 12 ndeshjet e fundit Bjellorusia ka mbajtur portën e paprekur vetëm dy herë.

Sa i përket historikut, statistikat favorizojnë Shqipërinë. Kuqezinjtë kanë fituar tre nga katër përballjet e fundit ndaj Bjellorusisë, ndërsa një ndeshje është mbyllur në barazim.

Në tre prej këtyre katër takimeve, Shqipëria nuk ka pësuar gol. Përballja e fundit mes dy skuadrave u zhvillua në nëntor 2020 dhe përfundoi me fitoren 3-2 të Shqipërisë.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?