Shqipëria sfidon sot Poloninë, ja 3 futbollistët që përfundojnë në tribunë
Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, ka bërë zgjedhje të forta për ndeshjen e sotme ndaj Polonisë, duke lënë jashtë listës përfundimtare tre futbollistë.
Për shkak të rregullores së UEFA-s, që lejon vetëm 23 lojtarë të disponueshëm për ndeshje, nga 26 të grumbulluarit, në tribunë do të përfundojnë Jasir Asani, Nazmi Gripshi dhe Klisman Cake.
Një vendim që konsiderohet surprizë, sidomos për Asanin, i cili në të kaluarën ka qenë një nga lojtarët më të besuar të teknikut brazilian.
Ndërkohë, lista sjell edhe risi në repartin defensiv, ku janë përfshirë Stavro Pilo dhe Bujar Pllana, duke shtuar alternativat në prapavijë. Po ashtu, vëmendje tërheq rikthimi i Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit, që pritet të japin më shumë kreativitet në fazën ofensive.
Në repartin e avancuar, Shqipëria do të mbështetet te tre sulmues të mirëfilltë: Myrto Uzuni, Arbër Hoxha dhe Armando Broja, ndërsa opsione shtesë në rolin e fantazistit mbeten Muçi, Mehmeti dhe Nedim Bajrami.
KOHA JONË SONDAZH

