Shqipëria zhvillon stërvitjen e parë, grupi jo i plotë
Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi pasditen e së hënës, seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy takimet e muajit mars ndaj Turqisë dhe Andorrës, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian të vitit 2020. Grupi në dispozicion të trajnerit Christian Panucci nuk ishte i plotë. Konfirmohet mungesa e portierit Thomas Strakosha në këtë grumbulli.
Gardiani i Lazios duhet të bashkohej me skuadrën të dielën por humbi avionin për shkak të trafikut në Romë dhe Panucci e ka ndëshkuar duke e lënë jashtë këtyre dy ndeshjeve ku titullar në portë pritet të jetë Etrit Berisha, ndërsa Strakosha është zëvendësuar nga portieri i përfaqësues Shpresa, Gentjan Selmani. Pas analizave të kryera që kanë përcaktuar shkallën e dëmtimit janë larguar përfundimisht nga grumbulli Andi Lila dhe Egzon Binaku të cilët nuk mund të rikuperohen në kohë për këto dy takime ndërkohë që Bekim Balaj do të qëndrojë në grumbullim dhe do të provojë të riaftësohet për sfidat ndaj Turqisë dhe Andorrës.
Për të mbuluar largimet e Lilës dhe Binakut, trajneri Panucci ka thirrur me urgjencë tre lojtarë të tjerë, mesfushorët Keidi Bare dhe Ylber Ramadani dhe mbrojtësin Kastriot Dermaku, futbollistë që kanë pjesë e Shqipërisë edhe në Ligën e Kombeve, megjithatë Panucci nuk ka grumbulluar sërish Ermir Lenjanin i cili po kalon një formë të shkëlqyer dhe do të ishte zëvendësuesi ideal i Binakut në krahun e majtë të mbrojtjes duke patur parasysh që në këtë rol Panucci ka në dispozicion vetëm Naser Aljin. Një vendim ky i mbështetur edhe nga presidenti i FSHF. Në vend të Strakoshës, Panucci ka grumbulluar portierin e Lacit, Gentian Selmanin.
Trajneri i kuqezinjve, Christian Panucci premtoi ndryshime në skuadër, më shumë në sjelljen e futbollistëve, sesa në mënyrën e lojës. “Sa i përket sjelljes në fushë do të ndryshojmë diçka por mënyra e lojës do të mbetet njësoj. Kemi mundur të rikuperojmë disa futbollistë. E sigurtë është që diçka do të ndryshojmë, duke nisur që nga sfida me Turqinë. Mund të luajmë me skemën 4-3-3, pse jo 3-5-2. Jam i kënaqur me grupin e futbollistëve që kam, por çdo gjë varet nga forma e tyre”, tha tekniku italian Panucci.
Për të është më mirë që të gjithë të jenë më të përulur dhe të mos mendohet më për vitin 2016. Italiani shtoi se Turqia është një ekip i forte por ai beson në një fitore të skuadrës së tij.
“Ndeshjet do t’i marrim me radhë. Shoh që këtu dikush ka dalë jashtë realitetit pas Euro 2016. Jemi në grup me Turqinë, Islandën, Francën. Po bëmë mirë do të renditemi të tretët, po bëmë diçka speciale do të dalim të dytët. Por, duhet të jemi të gjithë të përulur. Shoh se viti 2016 i ka bërë keq dikujt. Turqia është një skuadër e fortë dhe me shumë cilësi. Sapo kanë ndryshuar trajner, është ekip më i mirë sesa ne, ndaj dhe që t’i mundim duhet që ne të jemi më të fortë sesa ata. Kam besim te futbollistët e mi, jam pozitiv dhe besoj se jemi në gjendje që të fitojmë ndaj Turqisë”, tha më tej trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci.
KOHA JONË SONDAZH

