Sina dhe Kerjota, risitë e Maran te Kombëtarja shqiptare
Samuele Sina dhe Sabah Kerjota janë dy risitë e trajnerit Rolando Maran në listën e futbollistëve të grumbulluar nga Kombëtarja shqiptare për ndeshjet e muajve shtator dhe tetor në Ligën e Kombeve.
Sina, 19 vjeç, është një nga emrat më interesantë të listës. I lindur në Itali, mbrojtësi ka qenë pjesë e Shqipërisë U-19 deri vitin e kaluar, ndërsa tashmë ka marrë ftesën për ekipin A pa kaluar më parë te U-21. Ai aktivizohet me Union Brescia në Serie C, ku ka nisur sezonin si titullar dhe ka shënuar dy gola në pesë javët e para. Në të kaluarën, Sina ka qenë pjesë e akademisë së Interit.
Maran ka lënë të hapur mundësinë që Sina të jetë pjesë e U-21 në të ardhmen, çka do t’i jepte mundësinë të luante edhe në Europianin e ardhshëm të kësaj grupmoshe.
Risia tjetër është Sabah Kerjota. Sulmuesi 25-vjeçar nga Shkodra luan në krahun e djathtë dhe është pjesë e Hearts në Skoci. Ai u transferua verën e kaluar nga Sambenedetese për rreth 150 mijë euro, pasi më parë kishte refuzuar mundësinë për t’u rikthyer në Shqipëri.
Maran e ndoqi nga afër në fund të gushtit dhe më pas vendosi ta përfshijë në listën e Kombëtares, duke i dhënë Kerjotës ftesën e parë me fanellën kuqezi.

