Situata e koronavirusit, Tiranë udhëzon lojtarët: Të qëndrojnë në shtëpi!
Klubi i Tiranës ka shpjeguar për tifozët për situatën aktuale që ka sjellë koronavirusi. Bardheblutë, nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale bënë të ditur se po ndjekin udhëzimet që kanë dalë nga shteti shqiptar dhe sigurisht ato të UEFA-s që ka kërkuar që të gjithë kampionatet të mbyllen brenda datës 30 qershor.
Ndërkohë, klubi ka dërguar një mesazh të qartë edhe për ata futbollistë të cilët nuk kishin respektuar rregullat e vendosura nga shteti shqiptar për të evituar daljet e panevojshme.
Njoftimi i klubit bardheblu
Sot është zhvilluar një mbledhje e jashtëzakonshme e komitetit ekzekutiv i UEFA-s ku nëpërmjet një video-konference me federatat anëtare është vendosur shtyrja zyrtarisht e çdo kampionati deri në normalizim të situatës. Ajo çka pritet të arrihet është mbyllja e çdo gare vendore deri më 30 qershor 2020.
Aktualisht Klubi Futbollit Tirana ka kërkuar lojtarëve dhe stafit të qëndrojnë në shtëpi ku ka shpërndarë një program individual për çdo futbollist që do të punojë gjatë kësaj periudhe. Nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të urojmë që kjo gjendje të përfundojë sa më shpejt dhe gjithçka t’i kthehet normalitetit!