Sivasspor reagon për Manajn: Njoftuam Shqipërinë se nuk është në gjendje të luajë

Klubi i Sivasspor, ka reaguar për sulmuesin Rey Manaj, i cili u ftua nga Shqipëria për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, por u largua nga grumbullimi për shkak se ishte i dëmtuar.

Në lidhje me këtë, klubi turk thotë se e kishte vënë në dijeni Kombëtaren shqiptare se lojtari nuk ishte në gjendje për të zbritur në fushë.

“Lojtari ynë Rey Manaj ka pësuar një dëmtim në muskulin e këmbës së djathë në ndeshjen ndaj Adana Demirspor të luajtur me 25 tetor. Atij iu diagnostikua një dëmtim muskulor gjatë testeve fizike, në përputhje me raportin e përgatitur nga doktori i klubit, në të cilin përcaktohej se Manajt i nevojitej një periudhë rehabilitimi prej të paktën 4-6 javësh.

Gjatë kësaj periudhe, lojtari ynë nuk mund të luante ndaj Rizespor dhe Fenerbahçes për shkak të këtij dëmtimi. Të premten, më 8 nëntor, klubi ynë informoi ekipin kombëtar të Shqipërisë rreth situatës aktuale të dëmtimit të lojtarit dhe i bëmë të ditur se nuk ishte në gjendje për t’u përzgjedhur për ndeshjet ndaj Çekisë dhe Ukrainës.

Sportisti ynë, i cili u ftua në ekipin kombëtar për të bërë rehabilitimin, u largua nga skuadra e Shqipërisë. Rey Manaj do të kthehet në Sivas në javën e ardhshme dhe të vazhdojë trajtimin e tij në ambientet e klubit”, thuhet në njoftimin e klubit.

SHKARKO APP