Skandal i ri në futbollin turk/ Arrestohen 29 persona, mes tyre 14 futbollistë aktivë

Futbolli turk vijon të tronditet nga një tjetër goditje e rëndë gjyqësore. Prokuroria e Stambollit ka urdhëruar një operacion të ri kundër rrjetit të dyshuar të basteve të paligjshme, i cili ka çuar në arrestimin e 29 personave, duke zgjeruar më tej hetimin që prej muajsh ka vënë në alarm Super Ligën dhe kategoritë më të ulëta.
Mes të arrestuarve janë edhe 14 futbollistë aktualisht aktivë. Akuzat janë tepër të rënda: sipas hetuesve, lojtarët dyshohet se kanë manipuluar rezultatet e ndeshjeve, duke vendosur baste për fitoret e ekipeve kundërshtare. Provat kryesore lidhen me transaksione financiare të dyshimta, të zbuluara në llogaritë personale të të përfshirëve.
Hetimi ka prekur edhe nivelet më të larta të futbollit turk. Mes të arrestuarve është edhe Erden Timur, ish-zëvendëspresident i Galatasarayt. Deri tani, klubi verdhekuq nuk ka reaguar zyrtarisht, por arrestimi i një figure kaq të rëndësishme konsiderohet një pikë kthese në këtë çështje.
Shifrat e skandalit tregojnë për një krizë të thellë sistemike: deri më tani rreth 1.500 persona janë përfshirë në hetime, me masa pezullimi që kanë prekur afro 1.000 futbollistë dhe rreth 150 arbitra.
Si të mos mjaftonte, një tjetër goditje ka ardhur nga ana tjetër e Bosforit. Ditët e fundit është arrestuar Sadettin Saran, presidenti i Fenerbahçes, i zgjedhur në këtë post vetëm në muajin shtator. Në këtë rast, hetimi nuk lidhet drejtpërdrejt me futbollin, por me një dosje të gjerë antidrogë në botën e spektaklit.
KOHA JONË SONDAZH

