Skandali i basteve trondit futbollin italian, 12 futbollistë të Seria A janë nën hetim

Skandali i basteve të paligjshme që ka përfshirë futbollin italian vijon të zgjerohet, me detaje të reja të raportuara nga “Corriere della Sera”. Prokuroria e Milanos ka zbuluar një rrjet të mirëorganizuar, ku janë identifikuar 12 futbollistë të njohur të Serie A të përfshirë në bastvënie të paligjshme. Janë sekuestruar rreth 1.5 milionë euro dhe janë kërkuar pesë masa arresti shtëpiak.
Sipas hetimeve, lojtarët nuk janë të dyshuar për trukim ndeshjesh futbolli, por për vendosje bastesh në sporte të tjera. Aktiviteti ka vijuar nga dhjetori i vitit 2021 deri në tetor 2023 dhe, sipas hetuesve, motivi kryesor nuk ka qenë përfitimi financiar, por thjesht mbushja e kohës së lirë.
Pas sekuestrimit të telefonave të Sandro Tonali dhe Nicolò Fagioli në vitin 2023, u zbulua një rrjet bastesh online, ku futbollistët investonin para përmes dy menaxherëve të faqeve të paligjshme. Ata ndihmoheshin nga tre administratorë të një argjendarie në Milano, që përdorej si “bankë” për fshehjen dhe qarkullimin e parave.
Fillimisht, lojtarët merrnin kredi për bastet. Më pas, për të shlyer borxhin, janë udhëzuar të paguajnë përmes blerjes së orëve luksoze si Rolex, me fatura të simuluara, ndërsa orët mbeteshin në posedim të organizatorëve.
Tonali dhe Fagioli dyshohet se kanë shërbyer si ndërmjetësues për reklamimin e faqeve të basteve te kolegët dhe për hapjen e llogarive në emër të tyre. Të dy po hetohen dhe mund të përballen me burg deri në 3 muaj dhe gjobë deri në 500 euro.
Futbollistët e përmendur në hetim janë:
- Alessandro Florenzi (Milan, kampion Europe 2021)
- Nicolò Zaniolo (Fiorentina, ish-Roma)
- Mattia Perin (Juventus)
- Weston McKennie (Juventus)
- Leandro Paredes (Roma, kampion bote me Argjentinën)
- Ángel Di María (ish-Juventus, kampion bote)
- Raoul Bellanova (Atalanta)
- Samuele Ricci (Torino, ish-Empoli)
- Cristian Buonaiuto (Padova, ish-Cremonese)
- Matteo Cancellieri (Parma, ish-Lazio/Empoli)
- Junior Firpo (Leeds United)
- Matteo Gigante (tenist italian)