
Një skandal i mundshëm ka shpërthyer rreth çmimit prestigjioz të Topit të Artë. Grupi mediatik Amaury, pronar i revistave “L’Équipe” dhe “France Football”, që organizon ceremoninë e ndarjes së këtij trofeu, po përgatitet të nisë procedura ligjore pas dyshimeve për rrjedhjen e rezultateve të votimit dhe baste të paligjshme.
Në një deklaratë për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), kompania ka bërë të ditur se integriteti i Topit të Artë mbetet një përparësi absolute, ndërsa ka konfirmuar se po shqyrton me seriozitet pretendimet dhe po përgatit hapat përkatës ligjorë.
Çështja mori përmasa pas një investigimi të publikuar nga platforma financiare Upside, e cila raportoi për baste të dyshimta në platformën Polymarket, e ndaluar në Francë, përpara ceremonisë së zhvilluar në Londër.
Sipas raportimit, rreth 265 mijë dollarë janë vendosur përmes 12 llogarive, që dyshohet se mund t’i përkasin të njëjtit person. Ajo që ka ngritur më shumë dyshime është fakti se parashikimi për pesë vendet e para rezultoi i saktë: Harry Kane, Kylian Mbappé, Lamine Yamal, Rodri dhe Lionel Messi.
Këto zhvillime kanë shtyrë grupin Amaury të nisë verifikimet për të zbardhur mënyrën se si mund të kenë rrjedhur informacionet dhe për të identifikuar përgjegjësit e mundshëm.