Skënderbeu ndal Partizanin, Elbasani fiton ndaj Teutës
Dy ndeshje spektakolare dhe shumë të luftuara u mbyllën këtë të shtunë, në javën e 20-të të Superligës. Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Skënderbeut. Të kuqtë e kryeqytetit i shkuan shumë afër fitores, por u barazuan vetëm në fund.
Bintsouka zhbllokoi sfidën në minutën e 43-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë. Në të dytën korçarët u shfaqën më kërkues dhe në minutën e 93-të, u shpërblyen me gol. Ishte Ardit Nikaj, i cili përfitoi nga një top i marrë në zonë, për të vendosur baraspeshën.
Partizani tani është në krye të renditjes me 34 pikë, po aq sa edhe Dinamo me Vllazninë. Ndërkohë Skënderbeu mbetet i fundit me vetëm 16 pikë të grumbulluara.
Në sfidën tjetër, Elbasan triumfoi me përmbysje ndaj Teutës, me rezultatin 3-1. Arsen Lleshi ishte heroi i verdhebluve, me një tripletë golash të shënuar në pjesën e dytë. Fraksioni i parë u mbyll me avantazhin minimal të durrsakëve, pas golit të Mario Beshirajt. Elbasani mban vendin e pestë me 28 pikë, ndërsa Teuta renditet në vendin e gjashtë me 23 pikë.