Skënderbeu pret gabime të rivalëve, Magani më i rrezikuari sot në Durrës
Skënderbeu arriti fitoren e 4-t radhazi, pasi mundi të djelën 3-1 Vllaznisë, një kundërshtari që ndryshe nga kampionët si objektiv ka mbijetesën dhe u shkëput plot 5 pikë nga Kukësi i vendit të dytë, por këta të fundit si dhe rivalët e tjerë do t’i luajnë të hënën ndeshjet e tyre dhe mund të ngushtojnë sërish diferencën me kryesuesit. Për trajnerin Mirel Josa fitorja ndaj ekipit shkodran ishte një nga ato që tregojnë karakterin e një skuadre që kërkon titullin dhe njëkohësisht një ndër më të vështirat, dhe për të mbrojtur këtë arsyet nuk ngurron të radhisë edhe motivet. – “ Nuk mund të bëhet krahasimi me ndeshjet e tjera që kemi luajtur për vetë kushtet që është luajtur,” – theksoi Josa. “Ndaj Vllaznisë, me mungesën e tifozerisë dhe për faktin se skuadra vinte nga një sërë fitoresh, dhe duke pasur parasysh edhe fitoren që ishte si një detyrim, ndeshja ishte shumë e vështirë.” Në analizën taktike të kësaj sfide, Josa zbuloi se lëvizja fitimtare ishte ndryshimi i modulit duke kaluar nga 3 me 2 sulmues e përkatësisht Martins e Progni. Shënoi me fanellën e kampionëve dhe Liridon Latifi, për të cilin Josa ka edhe një këshillë. – “Latifi ka cilësi të mira sulmuese, është i shpejte dhe kur ka luajtur herë të tjera ka dalë dy tre herë në pozicione goli, por duhet të shkrihet me mentalitetin e skuadrës pasi ne s'kemi mentalitet individual por kolektiv që është treguar në këto vitet e fundit me fitimin e titullit kampion.”
Vllaznia, Zmijani plane për sezonin tjetër
Në kampin shkodran me mbijetesën praktikisht të arritur, punohet që tani për të ardhmen me trajnerin Luan Zmijani që konfirmon projektin afatgjatë të drejtuesve me të si trajner. – “Po, është e vërtetë që kam një kontratë 15 mujore. I tillë ishte vendimi i bordit drejtues dhe presidentit, që ky staf të vazhdojë edhe sezonin tjetër, prandaj po mundohemi përditë për të bërë edhe listën për sezonin e ri.” Zmijani konfirmoi se skuadra e vitit të ardhshëm do të jetë një ndërthurje e futbollisteve me eksperiencë me elementin e ri që ekziston aktualisht në ekipet e Akademisë së Vllaznisë.
Tiranasot në Durrës, konfirmohet Gugash Magani
Trajneri Gugash Magani mori votëbesimin e presidentit Refik Halili pas humbjes në derbi dhe do të drejtojë sot bardheblutë në përballjen me Teutën në Durrës. Tiranës, që humbi derbin dhe ndodhet aktualisht 7 pikë larg kryesuesve të Skënderbeut, i duhet medoemos fitorja për të mos u shkëputur nga gara për titull. Partizani, me të njëjtën kuotë pikësh sa Tirana, do të presë Elbasanin, në “Qemal Stafa”, në një përballje më të lehtë. Edhe Kukësi i vendit të dytë pret Flamurtarin pa pretendime dhe kërkon të fitojë që të afrohet sërish me dy pikë nga Skënderbeu. Skuadra tjetër pretendente për një vend në Kupat e Europës, Laçi, pret Apoloninë, ndërsa fierakët do të tentojnë të marrin pikë për të shpresuar tek mbijetesa.
KOHA JONË SONDAZH

