Skiatorja Lara Colturi renditet e teta në slalomin special në Are të Suedisë

Skiatorja Lara Colturi përfundoi garimin e saj në disiplinën e slalomit special në ndalesën e radhës të Kupës së Botës në Ski Alpine, të zhvilluar në Are të Suedisë.
Sportistja 19-vjeçare u rendit në vendin e tetë në klasifikimin përfundimtar, me kohën totale 1 minutë 45 sekonda e 44 të qindtat.
Në zbritjen e parë, Colturi u pozicionua në vendin e gjashtë, pasi përshkoi pistën në kohën 51 sekonda e 26 të qindtat. Ajo arriti të lërë pas emra të njohur të këtij sporti si Paula Moltzan, Camille Rast, Lena Duerr dhe Sara Hector. Zbritja e parë u dominua nga kampionia olimpike Mikaela Shiffrin, e cila regjistroi kohën 50 sekonda e 22 të qindtat, e ndjekur nga gjermania Emma Aicher dhe austriakja Katharina Truppe.
Në zbritjen e dytë, Colturi e përfundoi garën në 54 sekonda e 18 të qindtat, duke e mbyllur atë me kohën e përgjithshme 1:45.44 dhe duke u renditur në vendin e tetë. Fitorja e slalomit special në pistën suedeze i takoi sërish Mikaela Shiffrin, ndërsa Emma Aicher u rendit e dyta dhe Wendy Holdener në vendin e tretë.
/e.i/j.p/ATSH
KOHA JONË SONDAZH

