Slot konfirmon: Isak dy muaj jashtë fushave, lojtarët të shtrëngojnë dhëmbët
Goditje e rëndë për Liverpoolin. Sulmuesi suedez Alexander Isak do të qëndrojë jashtë fushave për rreth dy muaj pas frakturës në fibulë, dëmtim për të cilin iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale mbrëmjen e djeshme.
Lajmin e ka konfirmuar trajneri i Reds, Arne Slot, gjatë konferencës për shtyp, ku nuk i kurseu kritikat ndaj mbrojtësit të Tottenham, Van de Ven, autor i ndërhyrjes që solli dëmtimin. “Ishte një ndërhyrje e pamatur dhe e rrezikshme”, u shpreh tekniku holandez, duke shprehur hapur pakënaqësinë për episodin.
Slot nuk ka sqaruar nëse klubi do të rikthehet në merkato gjatë janarit për të kërkuar një tjetër sulmues që të mbulojë mungesën e Isak, duke preferuar të fokusohet te angazhimet e menjëhershme të skuadrës.
“Në këtë moment, mendimi im i parë dhe i vetëm janë dy ndeshjet e radhës, që do t’i luajmë në shtëpi. Është koha që lojtarët që kemi në dispozicion të bëjnë atë që kanë bërë shumë herë: të shtrëngojnë dhëmbët dhe të japin maksimumin për të arritur rezultatet që duam”, deklaroi ai.
Liverpooli do të rikthehet në fushë të shtunën e ardhshme në kampionat, ku do të presë Wolves, skuadrën e fundit në renditje. Një sfidë në letër e favorshme, por që vjen në një moment delikat për The Reds, të detyruar të riorganizojnë repartin ofensiv pa një nga pikat e tyre kryesore.
KOHA JONË SONDAZH

