Sokol Haxhia zbulon prapaskenën: Broja refuzoi Juventusin për të qëndruar në Angli
Armando Broja ka pasur mundësinë të transferohej te Juventusi, por sulmuesi shqiptar zgjodhi të vazhdonte karrierën në futbollin anglez. Prapaskenën e merkatos e ka zbuluar menaxheri i njohur sportiv Sokol Haxhia, i cili tregoi se negociatat me klubin italian kishin avancuar ndjeshëm.
I ftuar në Klan News, Haxhia bëri të ditur se kishte marrë autorizimin zyrtar nga Juventusi për të negociuar me sulmuesin e Kombëtares shqiptare.
Sipas tij, marrëveshja parashikonte kalimin e Brojës te gjiganti italian në formën e huazimit, me të drejtë blerjeje në përfundim të tij. Megjithatë, pavarësisht mundësisë për t’u bërë pjesë e një prej klubeve më të mëdha të futbollit italian, transferimi nuk u realizua.
“Unë kisha mandatin dhe autorizimin e Juventusit për të bërë tratativën me Brojën. Isha në kontakte me drejtorin sportiv të Juves. Ishte diçka e mbyllur, me huazim dhe të drejtë blerjeje, por ai preferoi të qëndronte në kampionatin anglez”, u shpreh Haxhia.
Menaxheri shtoi se në atë periudhë Broja përfaqësohej nga një agjenci angleze, e cila merrej me çështjet e karrierës së tij.
Sipas Haxhisë, refuzimi i Juventusit nënkuptonte humbjen e një mundësie të rëndësishme për sulmuesin shqiptar. Në fund, Broja vendosi të vazhdonte rrugëtimin e tij në Angli, duke mos e konkretizuar transferimin që, sipas menaxherit, ishte pranë realizimit.

