Solomon shpërthen pas Irlandë-Izrael: Na thanë gjëra qesharake, nuk na duan!
Manor Solomon ka reaguar ashpër pas ndeshjes mes Irlandës dhe Izraelit në UEFA Nations League, e cila u shoqërua me protesta dhe tensione politike edhe gjatë zhvillimit të saj.
Futbollistët irlandezë shfaqën disa gjeste proteste gjatë sfidës, ndërsa kapiteni i Izraelit, Manor Solomon, nuk i kurseu kritikat pas përfundimit të takimit.
“Lojtarët e Irlandës na thanë gjëra qesharake gjatë ndeshjes. Nëse do të thosha atë që mendoj për ta, ndoshta do të pezullohesha për disa ndeshje. Na urrejnë dhe as ne nuk i vlerësojmë ata”, u shpreh kapiteni izraelit.
Solomon më pas theksoi krenarinë e tij për përfaqësimin e Izraelit në arenën ndërkombëtare.
“Ne kemi një vend të jashtëzakonshëm, me njerëz të mrekullueshëm. Jemi krenarë që veshim fanellën e Kombëtares së Izraelit dhe krenarë që jemi izraelitë”, përfundoi ai.
Përballja Irlandë–Izrael ishte shoqëruar me tensione që para nisjes, ndërsa qëndrimet e kundërta politike të dy palëve u reflektuan edhe përmes deklaratave dhe gjesteve gjatë ndeshjes.

