Sonte luhet finalja e parakohshme e Botërorit të Klubeve, Real Madrid-PSG
Sonte në mbrëmje do të luhet një përballje e cilësuar si një “finale e parakohshme”: Paris Saint-Germain kundër Real Madridit. Nga njëra anë, Donnarumma dhe shokët e tij ëndërrojnë të mbyllin sezonin me një poker trofesh, ndërsa nga ana tjetër, Xabi Alonso kërkon të udhëheqë “Los Blancos” drejt finales dhe të fitojë trofeun e tij të parë në krye të gjigantëve spanjollë.
Kjo ndeshje do të shënojë gjithashtu rikthimin e Mbappé kundër ish-ekipit të tij, PSG-së, për herë të parë pas transferimit të tij të bujshëm te Real Madrid. Megjithatë, ylli francez mund të nisë nga stoli pas një gastroenteriti të fortë që i ka kushtuar humbjen e 5 kilogramëve dhe ka ndikuar në formën e tij fizike. Alonso, që nuk do të ketë në dispozicion Huijsen-in e pezulluar, pritet të ruajë formacionin 3-4-2-1.
Asensio mund të rikthehet titullar përkrah Rudiger dhe Tchouameni në mbrojtje, ndërsa krahët do të jenë Alexander-Arnold dhe Fran Garcia. Në mesfushë do të luajnë Arda Güler, i jashtëzakonshëm ndaj Dortmundit, dhe Valverde, ndërsa Bellingham dhe Vinicius Junior do të mbështesin sulmuesin Gonzalo Garcia.
Në kampin e PSG-së nuk mungojnë problemet: Lucas Hernandez dhe Pacho janë jashtë për shkak kartonësh, ndërsa mbrojtja pritet të riformatohet me Beraldo që do të shoqërojë Marquinhosin në qendër. Në krahë, rikthehen Hakimi dhe Nuno Mendes. Mesfusha me Vitinha, Joao Neves dhe Fabian Ruiz mbetet e pandryshuar, ndërsa në sulm pritet që Dembélé të nisë sërish nga stoli, me Barcola si “fals 9” dhe Doué me Kvaratskhelian në krahë.
Përballja pritet të jetë elektrizuese, me duele të mëdha si ai mes portierëve Courtois dhe Donnarumma apo ai në pankinë mes Luis Enrique dhe Xabi Alonso, që për herë të parë do të përballen si trajnerë. Njëri synon lavdinë me Realin, tjetri historinë me PSG-në. Fituesi do të sfidojë Chelsea-n në finalen e madhe të Botërorit për Klube.
KOHA JONË SONDAZH

