Sonte sfida Shqipëri-Poloni, policia: Grupe tifozësh tentuan të futin në stadium flakadanë, kapsolla dhe lëndë të tjera piroteknike

Në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Poloni, dhe për parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme në stadiumin “Air Albania”, shërbimet e Policisë, mesditën e sotme, gjatë kontrolleve të ushtuara, kanë konstatuar se grupe tifozësh kanë tentuar që mes flamujve dhe banderolave që shërbejnë për dekor, të futin në stadium, një numër të konsiderueshëm flakadanësh, kapsollash dhe lëndësh të tjera piroteknike, të cilat janë sekuestruar nga shërbimet e Policisë.

Për këto raste, Policia ka marrë masa për shoqërimin në Komisariat, të shtetasve përgjegjës, si dhe për çdo rast tjetër që do të konstatohet gjatë kësaj kohe, do të merren masa për shoqërimin dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.

Policia e Shtetit apelon dhe një herë, për të gjithë tifozët dhe sportdashësit, që kanë vendosur të ndjekin në stadium, ndeshjen e futbollit Shqipëri-Poloni, që në asnjë rast të mos mbajnë me vete, gjatë hyrjes në stadium, dhe që në asnjë rast të mos tentojnë të futin në stadium, sendet e mëposhtme:

Flakadanë apo lëndë të tjera piroteknike, sende të forta dhe metalike, monedha dhe banderola me përmbajtje raciste ose diskriminuese. Policia apelon që tifozët dhe sportdashësit, që do të ndjekin ndeshjen në stadium, të mos mbulojnë fytyrën që bën të pamundur identifikimin e tyre, si dhe të mos dëmtojnë në asnjë mënyrë ulëset apo pajisje të tjera në stadium.

Rikujtojmë se mosrespektimi i këtyre detyrimeve, nga shtetasit vendas apo të huaj, sjell sanksione penale konform ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë.

SHKARKO APP