Spalletti rigjen Yildiz, ndaj Sportingut e ndalur të gabohet!
Pas fillimit të vështirë në Champions League, Juventus-i i Luciano Spallettit ndodhet përballë një prove vendimtare. Ndeshja e së martës në “Allianz Stadium” kundër Sporting Lisbonës ka vlerën e një “finaleje të vogël”: me vetëm 2 pikë në 3 ndeshje dhe një renditje që nuk i përket një ekipi të këtij niveli, bardhezinjtë kanë vetëm një objektiv – fitoren.
Spalletti, i cili kërkon të konfirmojë shenjat pozitive të dy fitoreve të fundit në kampionat, ka bërë të qartë se nuk ka më hapësirë për gabime: “Duhet të fitojmë dhe të japim një sinjal të fortë si në karakter, ashtu edhe në lojë.”
Në formacionin titullar priten disa rikthime të rëndësishme. Kenan Yildiz do të rikthehet në vendin e Openda-s, duke formuar një treshe sulmuese me Vlahovic dhe Conceiçao, që do të ketë detyrën të sjellë shpejtësi dhe fantazi në krahë. Në mesfushë, Locatelli është i konfirmuar, ndërsa vendi i tretë do të vendoset mes McKennie dhe Thuram, me Kostic e Cambiaso që pritet të mbulojnë krahët.
Në mbrojtje, mungesa e Kelly detyron Spallettin të ruajë skemën me Kalulu, një mes Gatti dhe Rugani, si dhe Koopmeiners, i cili po shndërrohet në një nga bastet e fituara të trajnerit. Ish-lojtari i Atalantës do të ketë një rol kyç në ndërtimin e lojës nga prapavija.
Për Juventusin, suksesi është i detyrueshëm nëse dëshiron të mbajë gjallë shpresat për kalimin e grupit në Champions League. Në kampionat situata është përmirësuar, por në Europë gabimet nuk mund të tolerohen më. Spalletti dhe tifozët shpresojnë që Yildiz dhe Vlahovic të udhëheqin kthesën e madhe bardhezi.
KOHA JONË SONDAZH

